Prishja e murit në rr.Elbasanit, “akt pabesie”

18/09/2012 00:00

Prishja e murit rrethues të Pallatit të Brigadave konsiderohet nga Artan Lame dhe Artan Shkreli si një akt i pabesë, ndërsa ata ndodhen në Bruksel për ngritjen e ekspozitës për Shqipërinë.

Artan Shkreli, arkitekt: Një akt pabesie shumë i madh që ka ndodhur pikërisht sot. Ne i kemi bërë letër kryeministrit që në vazhdën e urdhërit që ai ka dhënë që institucionet përgjegjëse, që janë Bashkia e Tiranës, Ministria e Punëve Publike, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Kulturës të kontaktonin shoqërinë civile që është e shqetësuar për këtë veprim, dhe bashkë të gjenin rrugën e zgjidhjes. Një gjë e tillë jo vetëm nuk u bë, pra urdhëri i Berishës nuk u mor në konsideratë, por ne pasi u ankuam me një shkresë Berishës, nuk na erdhi asnjë përgjigje. Përgjigjja e Berishës është ndërhyrja që po bëhet në Pallatin e Brigadave në momentin që ne jemi duke u marrë me punimet për këtë ekspozitë me rastin e përvjetorit të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë.

Artan Lame, shoqëria civile: Ndjehem vërtet i trishtuar dhe i prerë në besë dhe në një farë mënyrë duhet ta ndjejnë të gjithë veten si me një thikë të ngulur në shpinë. Ne kemi ardhur në Bruksel për të sjellë një pjesë të historisë së Shqipërisë, për të treguar që Shqipëria nuk është vetëm “politikanë injorantë”, apo “barbarë”, apo një ambient barbar dhe i egër, por ka edhe një kulturë të veten, një trashëgimi të veten që nga antikiteti dhe Mesjeta. Dhe këtë ne e sollëm në Bruksel në prag të procesit të integrimit për të treguar që ndoshta edhe e meritojmë integrimin. Dhe pikërisht tani, ne ndjehemi të prerë në besë sepse në Tiranë barbarët dhe politikanët injorantë vënë dorën mbi trashëgiminë që po përpiqemi të mbrojmë.

Artan Shkreli: Duke prekur një pjesë të mirë të rrethimit që bëjnë pjesë në sistemin mbrojtës së Pallatit të Brigadave, dhe pjesë të Parkut, që është i mbrojtur nga monumentet tona, por është në listën për t’u mbrojtur nga European Heritage.

Artan Lame:
U përpoqëm pikërisht me këtë ekspozitë, pikërisht me këto imazhe për t’i ndryshuar në një farë mënyrë vlerën kësaj pashaporte, që është një copë letër që s’na jep akoma dinjitet. Ne deshëm të sjellim pikërisht njëfarë dinjiteti të kësaj pashaporte dhe në Tiranë ndodh një akt barbarie i pashembullt. Pikërisht nga ata njerëz që pretendojnë të integrojnë Shqipërinë në Europë.

Artan Shkreli:
Është një akt i turpshëm, i ulët, i ndyrë dhe tregon surratin e vërtetë të njerëzve që qeverisin vendin në Shqipëri, të cilët kanë gjetur momentin kur një pjesë e shoqërisë civile nuk ndodhet në Shqipëri, për të bërë goditjen e shëmtuar në Tiranë.

Shqipëria ndër shekuj tregohet përmes hartave europiane në ekspozitën e organizuar nga zv/presidenti Migel Angel Martinez dhe kreu i PS-së, Edi Rama.

Arta Tozaj

Top Channel