Një tjetër vrasje për motive banale

18/09/2012 19:10

Javët e fundit në Shqipëri kanë qenë një ferr i vërtetë për sigurinë e qytetarëve.

Vrasje makabre, sherre në familje të përfunduara me mort dhe gjithëfarëlloj shkaqesh nga më banalet deri te më madhoret kanë marrë jetë njerëzish.

Por të dielën e 16 shtatorit një viktimë u shënua me arsyetimin më të kotë të mundshëm.

Ishte një djalë 18-vjeçar. Bashkë me të vëllanë shpërndanin fletëpalosje ose shisnin cigare për të mbajtur frymën, për të mos u bërë barrë e prindërve me nevojat e tij prej adoleshenti. Napoleon Mustafa tashmë i mungon vëllait të tij dhe familjes.

E diela mbase quhet zyrtarisht pushim, por Kodi i Punës nuk aplikohet tek gavroshët e mjerë. E kësaj radhe as kodi i jetës.

Rituali i përditshëm u përsërit dhe atë të dielë pasdite. Me vëllanë dhe shokët me të cilët ndante të njëjtën punë dhe të njëjtin fat të mjerueshëm, Napoleoni po kthehej në shtëpi.

“Hipëm në autobus si përherë dhe mua më ra zilja e telefonit. Ishte një burrë dhe më tha ta fikja telefonin. Unë i kërkova arsyen e ai më tha: Kështu dua unë!”

Mirush Ajazi ishte personi që për fatin e keq të këtyre djemve ndodhej në fundin e autobusit të linjës Qendër-Kamëz. Shkëndija e debatit ishte më e pakuptimimtja e mundshme, por debati si një ortek mori përpara ç’gjeti.
 
“Filloi të na shante dhe i gjuajti në shpullë vëllait. Na ka sharë nga qendra deri në Institut. Kur zbritëm vazhdonte me të shara dhe vëllai e shtyu. Në këtë moment ai nxori thikën dhe ia nguli në kurriz dhe në mushkëri”, tregon vëllai i viktimës.

Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Vëllai ishte goditur, ndërsa jeta e tjetrit ishte në rrezik. Cmenduria e një pasagjeri në autobus po shkatërronte atë ekzistencë mjerane në Bathoren informale.

Personi që dëgjoi fjalët e fundit të Napoleonit ishte Kujtimi. Është komshi i familjes Mustafa dhe u gjend pranë vendit të ngjarjes. Për koicidencë ai kishte dalë tek stacioni për të pritur djalin e tij, shok me viktimën.

“Po prisja djalin tim kur më vjen në krahë Napoleoni që më thotë se e kishin therur me thikë. Unë e shikoja i habitur sepse nuk kishte asgjë për momentin”, tregon Kujtimi.

Bathorja ka stigmën e një zone të ashpër, njerëz të dëshpëruar me shpresën e një jete më të mirë janë vendosur aty, shpesh të paragjykuar, por frika i ka kapluar të gjithë.

“Kjo gjë mund t’i ndodhë kujtdo. Jemi shumë të tronditur”, shprehet Kujtimi.

Napoleon Mustafa punonte dhe ëndërronte. Punonte për familjen e tj dhe ndërsa ëndrrat i kishte po aq modeste sa jeta e atyshme. Kishte kohë që kursente të blinte një motorr që atë udhëtimin me autobus t’ia linte të shkuarës dhe në shtëpi të kthehej me të vëllane në mjetin e tyre personal.

Top Channel