Ishëm, protesta për mungesën e transportit

18/09/2012 00:00

Prindër dhe nxënës të fshatrave të komunës Ishëm kanë protestuar
paraditen e së martës lidhur me mungesën e transportit të nxënësve në
shkollat e largëta të komunës.

Fëmijët duhet të ecin kilometra të tëra për të mbërritur në shkollë, ndërkohë që subjekti që bënte transportin e tyre vitet e kaluara ka ndërprerë shërbimin për shkak të uljes së pagesës nga 75 lekë në ditë për fëmijë në 41 lekë dhe parregullsive në marrjen e saj.

Kjo situate shqetëson edhe drejtues të shkollave të komunës të cilëve u cënohet procesi mësimor.

Një vendim i Këshillit të Ministrave i dalë në tetor të vitit të kaluar ngarkon pushtetin vendor me të drejtën e përzgjedhjes së subjektit të liçencuar që do të ofrojë shërbimin, ndërsa shpenzimet e transportit të nxënësve që ndjekin arsimin bazë larg vendbanimit të tyre, në distancë mbi 2 km, përballohen nga fondet publike. Mungesa e një komunikimi të qartë mbi këtë vendim ka sjellë paqartësi mes pushtetit vendor dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale.

Kryekomunari së bashku me një përfaqësi prindërish kanë takuar drejtorin e DAR-it dhe juristen e institucionit, por ende problemi mbetet i pazgjidhur për afro 300 nxënës të kësaj komune, ndërsa palët kanë vendosur t’ia besojnë zgjidhjen e problemit juristëve të prefekturës së qarkut, si një palë e tretë në këtë çështje.

Top Channel