Shqipëria Tjetër, rrëzë Gramozit të harruar

17/09/2012 00:00

Fshatrat rrëzë Gramozit historia i ka përkundur me krahët e saj në rrjedhën e shekujve duke i kthyer në pjesë të identitetit jo vetëm të një zone. E megjithatë kjo mesa duket nuk ka mjaftuar për t’i dhënë vëmendjen e kërkuar mes investimeve të munguara e projekteve që pak ose aspak i kanë prekur, duke i lënë këto zona në harresë të plotë mes vështirësive që nuk përfundojnë kurrë e të ardhmes që duket gjithmonë e njëjtë.

Udhëtimi në tokën ku tradita mplekset me historinë fillon nga Butka, fshati hijerëndë që ngrihet disi përtejmi aksit kryesor që të con në Ersekë. Duhen disa minuta të përshkuara në një rrugë kolovitëse për të dalluar shtëpitë e para që lartësohen jo larg njëra-tjetrës. Fshati i Sali Butkës, patriotit të madh e bijëve te tij, duket i ngrysur si një fotografi e hershme e dalë nga arkivat.

Shtëpitë e gurta,disa të rrezuara, dritare të boshta e banore që ikin-vijnë të shkrirë në një realitet të cilit thjeshtazi i lëxohet vështirësia.

“Po varet si e shkruajnë tani këta historinë dhe si e keqpërdorën atë punë që ishte. U keqperdor cdo gjë këtu. Këtu nisi se prapthi cdo gjë. Punoj nga mëngjesi deri në darkë mezi një kothere bukë marrim. Ç’të bëj?!”, thotë një banor i zonës.

Largimi i banorëve ndër vite e ka rrudhur Butkën në vetëm 14 familje, shumica dërrmuese e të cilave mbahen mes problemeve të kthyera thuajse në një morsë mbytëse.

“Në Butkë bëhet dy kuintale grurë për dynym. Neve nuk lajmë dot autokombajnën dhe traktorin. Një traktor këtu të vije ta lërojë do 13 mijë lekë të vjetra, ta diskojë do 6 mijë, ta mbjellë do 6 mijë të tjera, ta korri me kombajnë do 10 mijë. Edhe nuk ia vlen barra qiranë. Puno badjava. Të punojmë vecse për të ngrënë bukë”, shton Sulejman Hasani, banor i Butkës.

Për investime nuk bëhet fjalë, në Butkë nuk u duket asnjë gjurmë.

“Fshatit qeveria i ka varur këmborën ta thashë edhe njëherë unë ty, mirëpo na ka varur një këmborë të madhe dhe na thone tundeni se e keni mirë dhe s’pyet njeri”, shprehet Pellumb Beqillari, tjetër banor i Butkës.

Nga Butka, udhëtimi ynë përmes visesh të qendisura në zemrën e shekujve vazhdon më tej. Anës mbeten fshatra të tërë, ndërsa ne ndalemi në Starje në fshatin e Hasan Zyko Kamberit, Shahin Kolonjës dhe ish-kryeministrit Xhaferr Ypi.

Fshati ku jetojnë ende rreth 140 familje shtrihet mes tre lagjesh të fshehura natyrshëm në gjelbërimin e hasdisur. Realiteti pak ndryshon nga Butka , ndoshta sepse vëmendja në të gjithë këtë zonë ka qenë e pakët, për të mos thënë inekzistente. Një rrugë e vockël dhe ndonjë thërrmijë tjetër është e pamjaftueshme për të përthyer hallet që kanë kapluar banorët e këtushëm.

Hijeshia që ndërthuret brengshëm me historinë e bartur për breza të tërë i jep frymë një fshati të mbarë, me banorë mikpritës e puntorë që përpiqen të përballojnë gjithcka në një tatëpjetë që duket sikur s’ka fund kurrë.

Vetëm pak minuta me pas nga Starja , sosim në Rehovë. Koha ka lënë gjurmë të qarta mbi trupin e skalitur të Rehovës, që sot përpiqet të reklamojë krejt e vetme bukurinë e saj. Gurët e latuar, sokaket, muret e trasha, oborret e vegjël e shtëpitë me çardakë, të flasin për qytetërimin e hershëm që sot mbijeton vetëm falë kujdesit të banorëve.

« Duhet të vihet dorë në fshatin tonë. Vijnë premtojnë dhe nuk investojnë. Vetëm nga fshatarët vetë , nga vetë populli, nga familjarët secili do për fëmijën e tij, është munduar të bëjë një gjë sa më të mirë sipas kohës që e kërkon koha tani », thotë Llambi Jançe, banor i Rehovës.

Fshati i mbledhur, me shtëpitë që mbështeten pas njëra-tjetrës e rrugicat e ngushta karakteristike duket sikur të kthen pas, shumë pas, në këmbët e legjendave të shkuara që përpiqen të ngrenë krye edhe sot mes harresës.

Banorët janë përpjekur të hedhin bazat e turizmit familjar, teksa askush nuk është kujtuar të mbështesë këtë zonë, asnjë grimcë, tek-tuk ndonjë fjalë, ndonjë premtim e asgjë më shumë.

Jo vetëm Butkës, Starjes, Rehovës por edhe fshatrave të tjerë të rrëzës së Gramozit historia e djeshme i ka dhënë gjithcka ndryshe nga e sotmja që po i merr edhe ngjyrat e po i grryen identitetin.

Top Channel