Hetim gjykatësit të Xhakjas

17/09/2012 00:00

Katër ditë pasi Top Channel denoncoi faktin e moszbardhjes së vendimit të pafajësisë përtej çdo afati ligjor të shpallur për Ilir Xhakjan nga gjykata e Durrësit, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht ndaj kryesuesit të ketij gjykimi, Neritan Tabakut, i cili dyshohet se për më shumë se 20 muaj nuk e ka arsyetuar vendimin duke mbajtur peng gjykimin e të pandehurit në Apel.

Çështja do të hetohet nga prokurori i njësisë taskf forcë Julian Zonja, ndërsa pritet që së shpejti organi qëndror i akzuës t’i drejtohet me një kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarit Tabaku, nën hetim për shpërdorim detyre.

Pak ditë më parë Top Channel publikoi dokumenta që tregonin ankesën e prokurorit në Apel mbi vendimin e shkallës së parë, ku Ilir Xhakja shpallej i pafajshëm për vrasjen me dashje në bashkëpunim të shtetasit Qerim Maloko.

Kjo ankesë mban datën e 18 shkurtit 2011 dhe që prej asaj date çështja në Apel nuk ka nisur për shkak të mosdisponimit në këtë gjykatë të vendimit.

Nga ana tjetër, në vijim të verifikimeve që kanë nisur për të zbardhur faktin se si e fitoi lirine Ilir Xhakja në vitin 2011 nga gjykata, inspektorët e KLD-së morën në gjykatën e Durrësit dosjet e hetimit gjyqësor gjatë të cilit 38-vjeçari u shpall i pafajshëm.

Mësohet se KLD ka tërhequr jo vetëm vendimin e gjykuar nga Neritan Tabaku, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, por edhe materiale të tjera administrative për këtë çështje.

Burimet thanë për Top Channel se gjatë këtyre ditëve gjykata ka zbardhur vendimin e pafajësisë për Ilir Xhakjan, vendim i cili për më shumë se 20 muaj mbajti të bllokuar gjykimin e të pandehurit në Apel.

Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda e la në burg pa afat Xhakjan për katër akuza, më e rënda e të cilave ajo e vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj.

Top Channel