Ilir Xhakja: E vrava në gjaknxehtësi Tahirajn

15/09/2012 00:00

“E vrava në gjaknxehtësi shefin e komisariatit, pasi mendova se kishin
ardhur të arrestonin nipin tim në mënyrë tendencioze. Do të dorëzohem,
por vetëm nëse më garantoni jetën”.

Kështu është shprehur për policinë Ilir Xhakja, gjatë negocimeve, i cili ndonëse i rrethuar nga një kordon policor, pa asnjë rrugëdalje dhe shpresë për ta çarë atë, ka arritur të vendosë kushte.

Arrestimi

Për vetëdorëzimin, ai ka kërkuar të shoqërohet deri në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, i shoqëruar nga të afërm të tij, përveç një oficeri policie. Rreth dy orë pas mesnate, që ndan të enjten nga e premtja, është kapur dhe arrestuar nga forcat e policisë së Durrësit dhe ato RENEA, ekzekutori i vrasjes së kryekomisar Adem Tahirajt. Bashkë me prangat që janë shtrënguar në duart e shtetasit Ilir Xhakja, 38 vjeç, nga Katund Sukthi, është sekuestruar edhe arma e krimit, një pistoletë “Glock”, 9 milimetërshe, prodhim austriak me 12 fishekë.

Prej saj kanë dalë edhe plumbat e krimit, që morën jetën e kryepolicit të Shijakut. Kjo, tashmë e vërtetuar edhe nga laboratori i kriminalistikës. Ndërkaq vazhdon kërkimi për gjetjen e vendndodhjes dhe kapjen e nipit të të arrestuarit, bashkëpunëtor në krim, i njohur si Ledio Krasniqi, që zyrtarisht ka emrin Ledian Krasnaj, 17 vjeç, nga i njëjti fshat. Ilir Xhakja, autor i arrestuar për vrasjen e kryepolicit të Shijakut, ndodhet i izoluar, i vetëm në një qeli të sigurisë së lartë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Xhakja u kap në fshatin Shën Vlash të Durrësit. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se 38-vjeçari Xhakja e ka pranuar vrasjen e Tahirajt, duke deklaruar se e kreu në gjaknxehtësi e sipër. Megjithatë, ka paqartësi në deklarimet e 38-vjeçarit, që u shndërrua në emrin më të lakuar të këtyre dy ditëve, për sa u përket lëvizjeve të tij për t’i shpëtuar ndjekjes, gjë që ka shtuar dyshimet për persona të tjerë të përfshirë në largimin e tij nga vendngjarjes.

Dëshmia

Ai nuk ka dashur të tregojë asgjë se kush e ka ndihmuar për t’u arratisur, pavarësisht se në prani të avokatit të tij, ka pranuar krimin e kryer. Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët, ai ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm që në fillim të ngjarjes, por ka shkuar në mbështetje të nipit të tij që i ka kërkuar ndihmë për të shmangur kontrollin e kryepolicit të Shijakut.

Me të mbërritur Xhakja, debati nuk është shuar, por acaruar më shumë dhe për ta mbyllur ai ka përdorur pistoletën që mbante në brez dhe pas të shtënave mbi të, është larguar bashkë me nipin nga vendi i ngjarjes, duke lënë pas të shtrirë në tokë kryekomisarin Tahiraj dhe të shokuar shoferin e tij dhe specialistin e komisariatit, që ndodheshin bashkë me viktimën në vendin e ngjarjes, po që nuk kanë mundur të ndërhyjnë. “Pasi kreva vrasjen, e kuptova se çfarë kisha bërë. U fsheha te disa të njohur në Shën Avlash dhe doja të largohesha nga zona, por të gjitha rrugët ishin të bllokuara. Gjithashtu, kisha frikë për familjen. Kur e mora vesh se familja e shefit të komisariatit ishte nga veriu, mendova se ata do të hakmerren ndaj familjes sime, sipas Kanunit. Veç kësaj, kisha frikë edhe se do të më vriste policia, duke qenë se kisha vrarë një oficer. Për këtë arsye, pranova të vetëdorëzohem”, ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore, autori i vrasjes së shefit të komisariatit. Më tej, ai ka shpjeguar gjithë itinerarin e ndjekur, ndërkohë që ka dorëzuar vetë edhe armën e krimit.

Shtetrrethimi

Megjithatë, vetëdorëzimi, sipas forcave të policisë, ka ardhur edhe për shkakun e bllokimit të të gjithë zonës. Lëvizjet e shpejta të forcave të policisë, postblloqet dhe kontrollet e shumta të ushtruara në të gjitha akset, i mbyllën të gjitha shtigjet për të dyshuarin Ilir Xhakja, ndërkohë që ai është ndarë nga nipi, duke tërhequr mbi veten të gjithë vëmendjen, me qëllim që 17-vjeçari të shpëtonte, derisa të sqaroheshin rrethanat e krimit të rëndë. Përveç shërbimeve të Policisë së Durrësit, Shijakut, Krujës, FNSH-së, RENEA-s dhe Tiranës, të angazhuar në kontrolle kanë qenë edhe forcat e Policisë së Lezhës, të cilat mësohet se kanë mbuluar territorin e Ishmit në kufi me rrethin e Kurbinit. Burimet policore shprehen se shumë autorë krimesh përdorin zonën e Ishmit për t’u arratisur. Në këto kushte, shërbimet nga Policia e Lezhës bllokuan si rrugët tokësore, ashtu edhe pjesën malore. Gjithashtu, policia shtoi se po bashkëpunon edhe me familjen e 17-vjeçarit në kërkim, megjithëse ai mund të lirohet dhe të mos ketë përgjegjësi penale. Sipas të dhënave, nga ai ka filluar konflikti, megjithëse nuk ka qenë aktiv në asnjë veprim të dajës së tij. Policia shpjegoi se pavarësisht arrestimit të autorit kryesor të ngjarjes, kontrollet në zonë vazhdojnë, me qëllim identifikimin e personave të tjerë, që mund të kenë ndihmuar autorin e krimit për t’u larguar. Tashmë, Ilir Xhakja do të akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”.

Sipas policisë, Ilir Xhakja njihej si një ndër personat më të rrezikshëm në zonën e Sukthit, megjithëse vazhdonte të ishte i lirë. Sipas të dhënave, ai ka pasur një sërë precedentësh të mëparshëm kriminalë, duke filluar që nga viti 1995, kur është dënuar me 1 vit burgim për plagosjen e shtetasit Dashamir L. Ndërkaq, në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentian Petrit Gjoka dhe Petrit Lyti, por që pikërisht në këtë vit është dënuar vetëm me gjashtë muaj burgim për kanosje serioze për jetën ndaj shtetasit Ylli M. Ndërsa më datë 15.05.2002, ka filluar procedimi për vrasje në territorin e Komunës Katund i Ri Durrës. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku, kështu që strukturat e policisë, më datë 6 korrik 2007 e kanë arrestuar, por më pas u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.

Vëllai i Tahirajt: Kur pashë telefonin, e parandjeva…

Vëllai i dëshmorit Adem Tahiraj ishte nisur për në Tropojë, kur i kanë telefonuar dhe i kanë treguar se ai ishte vrarë në krye të detyrës. Ai ka qenë ndër të fundit e familjes që ka marrë vesh lajmin e kobshëm, pavarësisht se e parandjeu fatkeqësinë, sapo pa thirrjet e humbura në telefonin e tij. Teksa qëndron në krye të vendit, në një lokal përballë shtëpisë trekatëshe, ku burrat presin ngushëllimet për humbjen e madhe të oficerit të vrarë në krye të detyrës, i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut”, Mustafë Tahiraj tregon momentin e kobshëm dhe marrëdhëniet me vëllain. Sytë i ka të skuqur, por e mban veten për të respektuar ata qindra njerëz që kanë ardhur për të nderuar të afërmin, shokun dhe kolegun e tyre, që u vra dy ditë më parë në Sukth të Durrësit.

Top Channel