QSUT, 200 shtretër më pak

14/09/2012 00:00

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, aktualisht numëron rreth
1400 shtretër. Sipas analizave të viteve të fundit rezulton se
shfrytëzimi i tyre nga pacientët e Tiranës, të qyteteve të tjera, por
edhe nga pacientë nga trojet shqiptare të jetë në masën 80 për qind.

Në mbledhjen e bordit të Ministrisë së Shëndetësisë, zhvilluar në fillim të javës është propozuar që nga 1400 shtretër që ka qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” të ketë vetëm 1200 shtretër dhe 200 shtretër të shkurtohen. Propozimi është bërë në bord dhe është diskutuar mes pesë anëtarëve, ndërkohë që para miratimit përfundimtar të merren edhe mendimet e ekspertëve nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Spitali i Tiranës i nivelit terciar ku përveç pacientëve mësojnë studentët, por tentohet të bëhet edhe kërkim shkencor, është institucioni që ka shfrytëzimin më të madh të shtretërve, dhe në këtë pikë specialistët e QSUT-së kërkojnë të diskutojnë mbi faktin përse ky shkurtim shtretërish bëhet në këtë spital dhe jo në qendrat spitalore të rretheve ku shfrytëzimi është mesatarisht 30 për qind. Bordi ka referuar se shkurtimi i shtretërve mund të bëhet duke bashkuar shërbimet e kardiologjisë apo reanimacionit apo duke bërë një disa reparte që japin thuajse të njëjtin kujdes shëndetësor. Sipas analizës së fundit të QSUT-së rezulton se shërbimi i reanimacionit është i shfrytëzueshëm në këtë spital në masën 127 për qind.

Spitalet që i kushtojnë më shtrenjtë buxhetit të shtetit janë ato të cilat kanë më pak pacientë, që kanë më pak shtrime dhe më pak shfrytëzim.

Studimi i fundit i llogaritjes së kostove realizuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor raporton shpenzime të mëdha që paguhen për ditëqëndrimin e qytetarëve në disa nga spitalet e vendit. Kështu, një spitali i kushton shumë shtrenjtë që një krevat ta mbajë bosh në krahasim në ato qendra spitalore që kanë shfrytëzim të lartë të tyre. Ndërkohë që në qytetet me spitale që nuk shfrytëzohen kemi tkurrje të popullsisë, godinat, mjekët edhe shpenzimet e qendrave shëndetësore rriten nga viti në vit.

Shkurtimi i shtretërve pritet të sjellë edhe shkurtim të stafit mjekësor apo infermieror. Ulja e numrit të pacientëve të shtruar sjell edhe ulje të burimeve njerëzore që ofrojnë kujdes shëndetësor. Sakaq, shkurtimi i shtretërve dhe shkurtimi i punonjësve do të miratohet përfundimisht bashkë me ndryshimet e reja që do të bëhen në spitalin “Nënë Tereza” dhe konkretisht me emërimin e kreut të ri të kësaj qendre. Bordi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dërguar në formën e projektvendimit pranë Këshillit të Ministrave dy kandidaturat për kreun e QSUT-së dhe pritet që javën e ardhshme qeveria të vendosë përfundimisht se cili do të jetë drejtori i qendrës pas dorëheqjes së Saimir Ivzikut. Dy kandidaturat e reja janë zëvendësdrejtori aktual i ALUIZNI-t, Edmond Rrushi dhe kardiokirurgu i njohur, Altin Veshti.

Ndërsa kandidatura e parë është propozuar duke pasur parasysh aftësitë menaxhuese e një ndërmarrjeje të madhe siç është QSUT-ja, kirurgu Veshti njihet për profesionalizmin e tij si mjek dhe përvojën e fituar gjatë punës së tij në qendrat spitalore perëndimore.

Kjo foto është bërë 4 ditë më parë në spitalin e Durrësit, në shërbimin e kirurgjisë, ku duket qartë se pacientit i janë vendosur në vend të qeskave, doreza operacioni, pikërisht në vendin e plagës.

Shkurtimi – Rreth 200 është numri i shtretërve të propozuar për t’u shkurtuar në qendrën spitalore më të madhe të vendit. Propozimi u bë nga anëtarët e bordit të QSUT-së

Shfrytëzimi – Nga studimet e viteve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qendrës spitalore rezulton se shfrytëzimi i shtretërve te “Nënë Tereza” është 80 për qind

Rrethet – Në spitalet e rretheve shfrytëzimi i shtretërve është në masën 30 për qind mesatarisht. Shumë nga spitalet e rretheve kanë kosto më të lartë për këtë fakt

Top Channel