Vrasjet në Elbasan, arrestohen autorët

10/09/2012 00:00

Policia e Elbasanit ka arrestuar autorët e dyshuar të tragjedisë që
shkaktoi dy të vdekur dhe një të lënduar në një dasmë, që po zhvillohej
në Jagodinë të Elbasanit.

Sipas burimeve zyrtare, vëllezërit Blerim dhe Edmond Eshja, përkatësisht 37 dhe 32 vjeç, janë arrestuar në orët e para të së hënës, pranë banesës së tyre. Ata dyshohet që të kenë vrarë me thikë, pas një sherri banal, 56-vjeçarin Pëllumb Belegu dhe shtetasin Mariglen Dushku. Ky i fundit gjeti vdekjen disa orë  pas ngjarjes.

Sipas burimeve të policisë, përplasjet mes palëve kanë ardhur pas një grindjeje të çastit. Blerim Eshja pretendon se Pëllumb Belegu e ka përplasur me makinë aksidentalisht, duke e hedhur në kanal. Si pasojë e këtij incidenti ka lindur edhe sherri banal, i cili përfundoi në tragjedi.Në momentin që Belegeu është kthyer sërish në vendin ku nisi grindja, Blerim Eshja e ka qëlluar në befasi katër herë ne thikë, duke i shkaktuar vdekjen disa minuta pas ngjarjes. Ndërkaq, vëllezërit Dushku kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin, por edhe ata janë goditur në befasi me thikë.

Pjesë e sherrit është bërë edhe Edmon Eshja, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes së kryer në bashkepunim. Policia e Elbasanit po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me një bilanc tragjik.
 

Top Channel