Këtë vit ndryshojnë programet e 9-vjeçares

10/09/2012 00:00

Çelet viti i ri shkollor dhe për herë të parë në banka do të ulen rreth 36 mijë nxënës në të gjithë vendin.

Janë 579 mijë nxënës të sistemit parauniversitar dhe fëmijë kopshtesh që do të nisin të hënën vitin e ri shkollor 2012 – 2013. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, 36 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës për të nisur rrugën e gjatë të dijes dhe 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve.

Këtë vit, një pjesë e mirë e shkollave të Tiranës kanë mbaruar meremetimet dhe restaurimet. Të tjera presin mbylljen e proceseve tenderuese për t’u ringritur nga e para apo për t’u pajisur me infrastrukturë të nevojshme.

Risia e këtij viti shkollor do të jenë ndryshimet e kurrikulave apo programeve të sistemit bazë 9-vjeçar. Ndryshimi është konfirmuar dje nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj në fjalën e tij përshëndetëse për të gjithë nxënësit në mbarë vendin.

Ndryshimet

Këtë vit do të nisë diskutimi i madh për ndryshimet në kurrikulat e arsimit 9-vjeçar. Debati, sugjerimet dhe ndryshimet do të diskutohen mbi bazë të gjerë ndërkohë që në thelb të ndryshimeve do të jetë gjuha shqipe.

Sivjet e fillojmë këtë vit shkollor të përfshirë në entuziazmin e festimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në këtë vit shkollor reforma në përmbajtje e programeve, planeve mësimore dhe gjithë kurrikulës së arsimit 9-vjeçar do të jetë një diskutim i madh që do të shtrihet në çdo shkollë e ku do të marrin pjesë gjerësisht mësues, nxënës e prindër. Në thelb të kurrikulës së arsimit bazë qëndrojnë kompetencat themelore të të nxënit, ndër të cilat zotërimi në nivel të lartë i gjuhës shqipe është kryesorja. E gjithë paketa e re kurrikulare do të fillojë të zbatohet në vitin shkollor 2013-‘14.

Shkolla jonë fillon vitin e ri shkollor me një ligj të ri për sistemin arsimor parauniversitar. Ky ligj tepër bashkëkohor dhe modern ka në qendër dhe vihet në funksion të realizimit të interesave të nxënësve, të kompetencave, shprehive dhe aftësive të tyre, të cilat do t’i shërbejnë formimit të tyre si qytetarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike, si dhe rritjes së shanseve për punësim, karrierë dhe, në tërësi, për një jetë më të mirë”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqyerem Tafaj.

Top Channel