Reeker: Reformat janë të arritshme

09/09/2012 00:00

Nga selia e PS, ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Euro-Azinë, Philip Reeker kërkoi nga klasa politike shqiptare gjetjen e dakortësisë brënda institucionit të parlamentit në realizimin e reformës parlamentare, miratimin e ligjit  për gjykatën e lartë dhe imunitetet.

“Pata takime konstruktive këtu në Tiranë. Unë dhe zoti Rama bashkëbiseduam për mardhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Shqipërisë dhe SHBA-s. Ne biseduam për të ardhmen euro-atlantike, përparimin e arritur që nga gushti i shkuar. Zgjedhjet e ardhshme jo vetëm në vendin tim, por edhe në Shqipëri sikurse e kam thënë edhe më parë, Uashingtoni do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet e këtushme. Ne shpresojmë të shikojmë vijimin e reformave, vitin e ardhshëm zgjedhje demokratike të zhvilluara në mënyrë të drejtë dhe gjithashtu respekt për pamvarsinë e institucioneve. Javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme, duke demonstruar lëvizjet e duhura drejt reformave si dhe seriozitetin e qëllimeve që tejshkojnë e kapërcen politika duke  pasqyruar interesat më të mirë të qytetarëve dhe dëshirat e popullit shqiptar.  Parlamenti ka në fuqinë e tij mundësinë që të ndikojë pozitivisht në progres raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian. Ne besojmë që gjetja e dakortësisë në reformën e rregullores parlamentare, kalimi ligjit për gjykatën e lartë, si dhe votimi për ndryshimet kushtetuese, që lidhet me imunitetet janë të arritshme, për hedhjen e hapave të rëndësishëm në drejtimin e duhur për Shqipërinë” tha ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker.

Këtë deklaratë zoti Reeker e bëri në përfundim të takimit me kreun e opozitës Rama, i cili tha se qëndrimi disa ditor në Tiranë i zotit Reeker tregon interesin e SHBA ndaj Shqipërisë dhe qyetarëve të saj.

“Duke u fokusuar tek perspektiva demokratike dhe europiane e vendit ne shkëmbyem po ashtu shqetësimet dhe idetë lidhur me përshpejtimin e progresit të vendit qoftë në drejtim të familjes Europiane, qoftë në drejtim të standardeve demokratike që do ta bënin Shqipërinë një vend Europian jo vetëm gjografikisht, por edhe si një shtet me institucione të forta dhe të pavruara dhe padyshim me një parlament që të përfaqësojë shqiptarët qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, brenda standardesh si ato që sot e gjithë ditën e karakterizojnë parlamentarizmin e familjes Europiane”, tha kryetari i PS, Edi Rama.    

Përsëritja e po të njëjtës fjali nga Reeker se “Uashingtoni do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet gjatë vitit të ardhshëm në Shqipëri”, e cila fillimisht u artikulua tre ditë me parë pas takimit me kryemininstrin Berisha, dëshmon rëndësinë që marrin për SHBA, zgjedhjet e 2013-s.

Top Channel