“Modeli ynë garanton zhvillim”

09/09/2012 15:35

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, dhe deputetë të zonës, inaguruan segmentin Ura e Mesit-Prekal në komunën e Postribës në rrethin e Shkodrës, një investim prej rreth 400 milion lekë.

Kreu qeverisë u shpreh se kjo rrugë dhe vazhdimi i saj, nga Prekali, Kiri drejt Shoshit, do t’i japë një gjallëri të madhe, të gjithanshme, njërës prej zonave më të bukura të vendit, Parkut kombëtar të Thethit dhe gjithë Dukagjinit.

Zoti Berisha u ndal në krizën ekonomike në Europë duke argumentuar përse Shqipëria nuk është pjesë e saj.  
“Shqipëria sigurisht që i ka ndjerë pasojat e kësaj krize, por nuk ra vetë në krizë. Shqipëria, ashtu siç thotë Komisioni Evropian, është vendi i vetëm në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit, por papunësia u ul në mënyrë progresive. Unë e di se sërish kemi të papunë dhe ata çdo vit ndjejnë dhimbje, qajnë me lot të ftohtë, me pikëllim, por nga ana tjetër, ekziston shpresa, sepse te ne nuk rritet papunësia, por ajo po ulet në mënyrë progresive. Papunësia po ulet në Shqipëri, sepse modeli i saj ekonomik është model që garanton rritje ekonomike, është model që garanton rritje prodhimi, rritje tregu, sepse në Shqipëri rritet fuqishëm, në mënyrë të pandërprerë, sektori privat. Le të marrim qarkun e Shkodrës: Shkodra kishte në vitin 2005 3480 biznese, ndërsa sot, Shkodra sot ka mbi dyfishin e tyre, 8550 biznese të regjistruara, pra ka të punësuar mbi dyfishin në bizneset e veta, krahasuar me ata që kishte të punësuar vite më parë”, deklaroi kryeminstri Berisha.

Nga Postriba zoti Berisha foli edhe për modelin e taksimit që propozojnë socialistët në programin “Për një rilindje kombëtare”, duke e quajtur atë “si taksa e Marksit”.

“Modeli tjetër që kemi përballë është “taksa e Marksit”. Se çfarë i bëri Shqipërisë taksa e Marksit nuk mund ta harrojmë kurrë. Në një kohë kur na thoshin se jemi pa asnjë taksë, punonim si skllevër për shtetin diktatorial me taksa indirekte, 8 muaj të djersës sonë. Ndaj, ju jeni vet të mençur. Po shkojmë drejt një fushate elektorale, drejt një fitoreje të re. Themelore është të mbrojmë vizionin tonë. Me këtë vizion, ne po ndryshojmë Shqipërinë, me këtë vizion ne kemi ndërtuar në këtë vend mbi 10 mijë km rrugë, nga vetëm 2430 km të asfaltuara që ishin në 2005-ën. Cili është qëndrimi tjetër: Ai është një dhe vetëm një:  “Bllok-bllokim-bllokator”, shtoi Berisha.

Gjatë qëndrimit në Postribë zoti Berisha mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 66 vjetorit të kryengritjes së Postribës që njihet si kryengritja e parë anti-komuniste ndodhur më 9 shtator të vitit 1946.  Në fjalën e tij zoti Berisha e përshkroi këtë kryengritje si ngjarjen më të madhe në historinë e lirisë së shqiptarëve nga viti 1944 deri në vitin 1990.
 

Top Channel