Dhjetra banorë në fshatin Zharrëz të Fierit bllokuan për më shumë se dy orë rrugën nacionale që lidh këtë qytet me Beratin.

Shkak për këtë lëvizje u bë një lëkundje e tokës që u ndje rreth mesditës. Banorët thonë se lëkundjet vijnë si  pasojë e shpërthimeve nëntokësore të kompanive të naftës. Ata thonë se ky është një veprim i përsëritur dhe për pasojë shtëpite e tyre kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

E njëjta situatë ishte edhe në fshatin Sheqishtë. Edhe këtu banorët bllokuan rrugën kryesore dhe nuk lejonin lëvizjen e mjeteve të transportit. Për të qetësuar situatën dhe për të mos lejuar që protestuesit e irrituar të kryenin veprime të dhunshme, kanë mbërritur forca të policisë së Fierit si dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë.

Pas më shumë se dy orë banorët u shpërndanë, ndërsa policia shoqëroi disa prej tyre për sqarimin e situatës. Nga ana tjetër në faqen e internetit të Institutit Gjeofizik bëhet e ditur se mesditën e së dielës u shënuan lëkundje 3.2 ballë të shkallës Rihter. Sipas Institutit epiqendra e lëkundjeve ishte në fshatin Mbrostar të Fierit.

Top Channel