Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nën sloganin “Shqipëria është grua”, ka nisur një tur takimesh për të ristrukturuar dhe riorganizuar degët e këtij forumi në rrethe.

Numri një i selisë roze e ka nisur këtë tur nga Kavaja, duke u shprehur se ky qytet e shkroi historinë nga gratë dhe vajzat, forca e të cilave i ndërroi mendësinë.

“Të gjithë atyre që pyesin apo që janë të shqetësuar pasi duan të dinë se si mund të ndryshojë gjendja aktuale, nuk ka shembull më të fuqishëm se Kavaja dhe historia që ju po shkruani së bashku për të treguar se gjendja mund të ndryshojë”, iu drejtua Rama grave të pranishme.

Kreu socialist u ndal gjatë fjalës së tij në këtë takim edhe në alternativën që ofron PS në rilindjen e vendit.

“Arsimi, punësimi dhe lehtësimet sociale janë prioritete që ne do t’i ndjekim me shumë përulje bazuar në programin tonë, që është pasuruar dhe shpresoj të pasurohet me kontributin tuaj, që në 2013 të mos ndërrojmë një parti dhe të vazhdojë havazi i vjetër, por të ndërrrojmë faqen e historisë”, ka nënvizuar Rama.

Në fund të këtij turi, strukturat e forumit të gruas së partisë më të madhe opozitare në vend do të zhvillojnë edhe zgjedhjet e drejtueseve të këtyre strukturave.

Top Channel