Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker është takuar pasditen e së shtunës me përfaqësuesit e fraksioneve më të reja të politikës shqiptare, FRD dhe Aleancën Kuqezi.

Sipas informacioneve të fundit, FRD në këtë takim u përfaqësua nga ish-presidenti Bamir Topi, deputeti Gazmend Oketa dhe anëtarë të tjerë të saj.

Në qendër të bisedimeve mësohet se ka qenë situata e institucioneve shtetërore, kryesisht ato kushtetuese, në vend.

Ndërkohë, më pas zoti Reeker është takuar me kryetarin e Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, i cili i ka shprehyr synimin për të garuar në zgjedhjet e ardhshme.

“Aleanca Kuqezi në zgjedhjet e ardhshme do të garojë për të rrëzuar sistemin politik aktual”, ka deklaruar Spahiu.

Ai ka theksuar se sot Shqipëria është ndër vendet më të varfëra në Evropë dhe ka dhënë edhe motivet përse sipas tij vendi ndodhet në këtë situatë.

“Shqipëria është ndër vendet më të varfëra në Evropë dhe kjo ndodh pasi ka qeverinë më të korruptuar në Evropë”, ka nënvizuar Spahiu.

“Kapja e shtetit ka ardhur pasi në vend nuk ka zgjedhje të lira. Sot institucionet kontrollohen si në sistemin komunist”, ka vijuar kryetari i Aleancës Kuqezi.

Më herët gjatë ditës, Reeker vizitoi Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, ku u njoh nga afër me procesin e demontimit të armëve dhe mënyrën e funksionimit të uzinës. 

Top Channel