Topi: As me PD-në, as me PS-në

07/09/2012 00:00

Ish-presidenti Bamir Topi, ngjiti shkallët e selisë së Frymës së Re
Demokratike, duke zyrtarizuar rikthimin në politikën aktive partike e
pranuar njëkohësisht, ftesën e themeluesve të saj për ta drejtuar këtë
forcë politike, deri në Kuvendin e ardhshëm Kombëtar.

Vendimin politik për t’u bërë pjesë aktive e FRD, Bamir Topi e komentoi si një mision qytetar për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve dhe vendit. Bamir Topi ka kritikuar ashpër PD dhe PS, si përgjegjëse për tranzicionin e stërzgjatur.

“Njëzet vjet më parë qytetarët kishin shpresë e besim, ndaj ata mbushën sheshet e Shqipërisë duke kërkuar të bëhemi si e gjithë Evropa. Pas dy dekadash ata kanë arsye të ndjehen të zhgënjyer nga politika; të ndjehen të papërfaqësuar nga parti e klane politike. Fryma e Re Demokratike është përçuese e kësaj kërkese të gjerë qytetare për një frymë të re, për një sjellje e mentalitet të ri, për politikë të re dhe një agjendë të re për zhvillimin e demokracisë dhe progresin e vendit”, tha Topi.
 
Për Bamir Topin Shqipëria ka nevoja urgjente të përmirësimeve të sistemit politik e qeverisës në vend dhe fuqizimin e standardëve të demokracisë . Në këtë kuadër kreu i sapozgjedhur i FRD-së deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo forcë politike nuk do të ketë koalicion me dy partitë e vjetra, PD-në dhe PS-së, të vjetëruara, siç i cilësoi ai.

“Në përjashtojmë në mënyrë absolute, ndonëse politika ka një term që ‘kurrë mos thuaj kurrë’, të paktën në atë mendim që unë po shpreh sot, që është edhe ajo çka kemi konsultuar gjerë e gjatë me kolegët, në zgjedhjet e vitit 2013, ne nuk bëjmë koalicion me asnjë nga partitë e vjetra të tranzicionit, që do të thotë me partinë në pushtet dhe me Partinë Socialiste”, tha Topi.

I pyetur nga Top Channel se sa shqetësues dhe alarmant është deklarimi ish-ambasadorit Withers në ‘Top Story’ se demokracia shqiptare ndodhet në buzë të greminës, zoti Topi tha shqetësimet e ish-ambasadorit janë me vend, duke shtuar, se ato kanë qenë pjesë e bashkëbisedimeve gjatë kohës kur ai drejtonte vendin.

“Ne ndajmë me ambasadorin ëithers, sikurse me cdo përfaqësues, të shtetit i cili përbën për shqiptarët shtetin më mik, sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqetësimet për demokracinë. Vazhdimisht kemi qenë në sintoni të plotë. Unë ju siguroj që ndodhemi në një moment shumë të vështirë, ku një dorë po merr gjithcka”, tha Topi.

Gjatë fjalës së tij të parë si kryetar i FRD-së, Bamir Tapi përçoi mesazhin se niveli demokracisë shqiptare sot ka ngjashmëri me fillim vitet 90-të, por apeli im – tha ai, – është për të gjithë ata qytetarë, të cilët janë skeptikë ndaj politikës në tërësi, janë të lodhur nga politika dhe kanë humbur besimin se gjërat mund të ndryshojnë.  

Edhe në 1990-ën ka pasur qytetarë të tillë, por atëherë pasioni e kurajo e madhe e qytetarisë së Tiranës, studentëve dhe elitës universitare solli ndryshimin duke rrëzuar një nga regjimet më staliniste në Evropë.
“Fatin tonë e vendosim çdo ditë vetë ne,- theksoi Topi,- duke marrë përgjegjësi dhe duke mbajtur përgjegjësi”.

Top Channel