PS: Basha i dha mbetjet kunatit; reagon bashkia

07/09/2012 00:00

Opozita akuzon kryetarin e Bashkisë së Tiranës për favorizim që i bën
bizneseve të kunatit të tij, duke i dhënë për administrim mbeturinat e
kryeqytetit, pa iu nënshtruar procedurave tenderiale dhe mbi të gjitha
pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore.

Deputeti i Partisë Socialiste Artan Gaci tha, se janë pikërisht këto interesa që penguan edhe referendumin kundër importit të mbetjeve.

“Kemi provën që tregon arsyen e vërtetë të prurjes me aq urgjencë të atij ligji aq të kundërshtuar, që ishte ligji i importit të plehrave. Kjo është arsyeja e vërtetë, përse u pengua referendumi i kërkuar nga 75 mijë qytetarë”, tha Gaci.
 
Deputeti i Partise Socialiste Gaci theksoi se per te favorizuar kunatin , kryetari i bashkise Lulzim Basha urdheroi policine bashkiake te ushtronte dhune ndaj romeve, te cilet ishin vetëpunesuar per te jetuar duke selektuar mbetjet plastike.

Vetëm pak dite me pare u identifikua se kompania ‘Grin’, qe kishte marre kontrollin e mbeturinave te Tiranes ishte regjistruar nen emrin e Oliver Shtylles, i cili ne profilin e tij profesional shquante se punonte si menaxher ne qendren e biznesit ‘Megatek’.

Reagon bashkia: PS, shpifje e mashtrime

Bashkia e Tiranës ka reaguar pasditen e së premtes ndaj akuzave të Partisë Socialiste lidhur me mbledhjen e mbeturinave, duke i cilësuar ato si “shpifje dhe mashtrime”.

“Akuzat e ngritura sot në adresë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe familjarëve të tij janë shpifje dhe mashtrime. Shpifësi i radhës, i veshur me imunitetin e deputetit, ricikloi sot trillime për të cilat shpifës të mëparshëm janë paditur por vazhdojnë të mos paraqiten në gjykatë, në mënyrë që të shmangin verdiktin”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Në dokumentin në fjalë, zyra e shtypit e bashkisë vlerëson se, shpifjet dhe sulmet personale janë vegla të ndryshkura të një konflikti politik, i cili nuk ka prodhuar asnjë të mirë për qytetarët e Tiranës.

“Asnjë shpifje, trillim apo mashtrim nuk do ta ndalë Bashkinë e Tiranës në marrjen e vendimeve dhe hapave të nevojshëm në shërbim të qytetarëve”, thuhet më tej në komunikatë. 

Top Channel