Reeker: 2013, do ju ndjekim nga afër

06/09/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh të fortë Kryeministrit
Sali Berisha që lidhet me zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe
rëndësinë që merr për Washingtonin pavarësia e institucioneve shqiptare.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, pas takimin me kryeministrin Berisha deklaroi se SHBA-të do të ndjekin nga afër zhvillimet gjatë vitit të ardhshëm.

“Është më të vërtetë nder për mua të rikthehem në Shqipëri dhe veçanërisht në këtë vit të rëndësishëm që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë. Me Kryeministrin diskutuam rreth marrëdhënieve të forta dypalëshe. Shqipëria është një partner i besueshëm i SHBA-së. Ne si gjithmonë patëm mundësinë për të biseduar perspektivën europiane të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon, duke vlerësuar gjithmonë pikëpamjet e Kryeministrit Sali Berisha në çështjet rajonale dhe ato globale. Washingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të mëtejshëm të rajonit për integrimin euroatlantik. Siç edhe i tregova Kryeministrit Washingtoni do ta ndjekë nga shumë afër vitin e ardhshëm. Shpresojmë të shohim përparim në reforma dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike. Në veçanti javët e ardhshme janë kritike për të demonstruar vijimin e reformave dhe seriozitetin e qëllimeve që shkon përtej politikës dhe që pasqyrojnë interesin më të mirë dhe dëshirat e popullit shqiptar”, tha Reeker.

“Unë e njoha zotin Reeker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që ne përballemi dhe që ekziston, me vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat dhe me vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj Qeverisë dhe institucioneve të Shteteve te Bashkuara, për një prani sa më të gjerë të tyre në zgjedhjet e ardhshme.Një çështje e veçantë e diskutimeve me zotin Reeker ishte dhe konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të vendit. Unë e garantova atë se mbetemi plotësisht të vendosur të punojmë për pavarësinë dhe funksionimin e tyre”, tha Berisha.

Takimi Reeker-Berisha ishte parashikuar të zgjaste 60 minuta por kjo kohë ishte e pamjaftushme për intesitetin e çështje që zoti Reeker kishte për të ndarë me Kryeministrin duke e zgjatur takimin edhe 20 minuta të tjetra.

***

Ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker në ditën e parë të vizitës së tij 4 ditore në Tiranë është takuar edhe me Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Nuk është lënë jashtë axhendës së zotit Reeker një takim me kryprokuroren Ina Rama. Për më shumë se 40 minuta shefja e akuzës shqiptare njohu Ndihmës/Sekretarin amerikan me zhvillimet më të fundit që lidhen me institucionin që ajo drejton. 

Krahas interesimit që qeveria amerikane i ka kushtuar ndër vite Shërbimit Informativ Shtetëror, institucioni prokurorisë ka tërhequr një vëmendje të rëndësishme gjë e cila është vënë re në momente delikate, kur në krah të kryeprokurores Rama, kanë qëndruar ish ambasadori Withers dhe pasardhësi i tij Arvizu.

Më herët zoti Riker u takua edhe me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti dhe kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha. Zoti Reeker ndodhet në Tiranë për një vizitë disaditore në kuadër të konferencës “Roli i ardhshëm i NATO-s dhe BE-së në Europën Juglindore, zgjerimi i BE dhe sfidat transatlantike”.

Nuk përjashtohet nga temat e diskutimit të zotit Reeker  edhe privatizimi kompanisë ‘Albpetrol’, ku në garën për fitim e tenderit krahas një kompanie ruse, një tjetër kineze, janë edhe dy kompani amerikane.

Top Channel