Panariti: Imuniteti s’pengon statusin

05/09/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha, përfshirë eksponentët më të lartë të PD-së, ka akuzuar javët e fundit opozitën se, duke mos votuar ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve, ka si qëllim bllokimin e marrjes së statusit.

Por pas vizitës në Bruksel, ministri i Jashtëm Edmond Panariti, një ministër që vjen nga LSI, partia kryesore në aleancën qeverisëse, ka dhënë një interpretim tërësisht të kundërt me qëndrimet politike të kreut të qeverisë dhe të mazhorancës.

“Çdo gjë është pjesë e një vullneti të përbashkët nga forcat politike. Çështja e imunitetit nuk është pjesë e 12 prioriteteve të BE-së, por është një sfidë që politika shqiptare i vuri vetes dhe është një bazament për luftën kundër korrupsionit. Politika duhet të vazhdojë me miratimin e ligjeve dhe padyshim miratimi i tyre nuk duhet të kushtëzohet dhe nuk duhet të bëhet pengesë, por duhet të arrihen përpjekjet për të arritur konsensus”, ka deklaruar Panariti.

Çështja e imuniteteve, e kthyer në mollën e radhës të sherrit për politikën, dhe deklarimet kontradiktore në gjirin e maxhorancës qeverisëse, nëse nuk janë rastësore, ngrenë pikëpyetje për qëndrimet që PD dhe LSI kanë për problematika të caktuara.

Në këtë kontekst, përveç debatit mazhorancë-opozitë për mënyrën se si duhet trajtuar heqja e imunitetit, këto deklarata mund të hapin një tjetër debat, këtë radhë brenda mazhorancës.

Nëse do t’i referohemi deklaratave të mëparshme të komisionerit për Zgjerim, Shtefan Fyle, përfshirë ato të dy ditëve të fundit gjatë kohës kur zoti Panariti ndodhej në Bruksel, krahas plotësimit të 12 prioriteteve, heqja e imunitetit ishte çështje e rëndësishme e këtyre takimeve. Por çfarë thotë prioriteti numër 7 që lidhet indirekt me heqjen e imunitetit?

“Të zbatohet me efektivitet strategjia anti-korrupsion e qeverisë dhe plani i veprimit, si dhe të hiqen pengesat ndaj hetimeve, sidomos për hetimet e gjyqtarëve, ministrave dhe deputetëve. Të arrihet një vijimësi rezultatesh solide me hetimet proaktive, ndjekjen dhe dënimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet”.

Termi “heqje pengesash ndaj hetimeve” për gjygjtarët, ministrat dhe deputetetët, lidhet ngushtë me heqjen e imuniteteve. Prandaj, zyrtarët e lartë të Brukselit i kanë kushtuar po aq vëmendje kësaj çështjeje, duke kërkuar zgjidhje nga klasa politike shqiptare, njëkohësisht duke e kthyer në një prej aspekteve vlerësuese që do të përfshihet në rezultatin e provimit europian të Shqipërisë në tetor.

Në anën tjetër, në Shqipëri ka vetëm një rast kur drejtësisë i është mohuar kërkesa për heqje imuniteti dhe kjo ka ndodhur 18 vite më parë me çështjen e drurit të arrës, ku akuzoheshin ish-ministrat e PD-së të asaj kohe, Genc Ruli dhe Rexhep Uka. Por në atë rast vendimi ka qenë i diktuar nga rrethanat politike.

Top Channel