Mungojnë shkollat, mësimi me turne

05/09/2012 00:00

Disa ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit
deklaroi se edhe këtë vit të ri shkollor, pjesa më e madhe e shkollave
9-vjeçare dhe të mesme në kryeqytet do të zhvillojnë mësimin me turne.

Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit në një prononcim për Top Neës tha se një problem ende i pazgjidhur për këtë vit do të jetë dhe mbipopullimi i klasave kryesisht në gjimnazet më të preferuara të kryeqytetit.

Nga të dhënat e Drejtorive Arsimore rajonale në mbarë vendin, këtë vit shkollor pritet të ulen për herë të parë në banka rreth 40 mijë fëmijë, prej të cilëve 3 mijë fëmijë emigrantë.Sipas Drejtorit të Arsimit Parauniversitar, ndryshe nga vjet, këtë vit pati fluks regjistrimesh në arsimin profesional.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, pritet që këtë vit të ri shkollor niveli i regjistrimeve në arsimin e mesëm të jetë i njëjtë si një vit më parë, rreth 91 për qind, por rritja e kërkesave për arsimim duket se nuk ka ecur paralelisht me investimet e qeverisë për ndërtimin e shkollave të reja dhe një shkak është shkurtimi i buxhetit për arsimin për vitin 2012.

Elbasan, 10 shkolla nuk do të hapen

Rreth 10 shkolla të ciklit parashkollor, 9-vjeçar dhe të mesëm në
Elbasan rrezikojnë që të mos hapin dyert e tyre me 10 shtator si pasojë e
mungesës së higjienës. 

Kreu i Shëndetit Publik, Bujar Kllogjeri, bën me dije se gjatë inskeptimeve janë  vënë re një sëre problematikash të cilat lidhen me infrastukturen, mungesën e mjeteve didaktike dhe kushteve higjeno-sanitare të këtyre shkollave. Situata paraqitet më e rënduar në zonat rurale, por nuk mungojnë problemet edhe në qytetin e Elbasanit. Në mjaft godina lind nevoja për ndërhyrje për të përmirësuar ambientet në të cilat do të zhvillohet procesi mësimor. Kllogjeri thotë  se nëse nuk merren masat për normalizimin e situatës, atëherë dyert e këtyre shkollave nuk do të hapen për qindra nxënës, duke rrezikuar procesin mësimor.

Kreu i Shëndeti Publik shprehet se ndaj këtyre shkollave janë lënë detyra për përmirësimin e kushteve dhe në rast të kundërt do të merren masa administrative.

Top Channel