Imuniteti, Topalli takon Chountis

05/09/2012 18:40

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zhvilluar gjatë së mërkurës një takimi me raportuesin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, eurodeputetin Nicholaos Chountis.

Gjatë takimit zonja Topalli ka deklaruar se, mazhoranca është e vendosur për të përdorur të gjitha mjetet që ofron ligji dhe Kushtetuta për të realizuar nismën e heqjes së imunitetit, si një kërkese kyçe në paketën e kërkesave të KE-së.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Parlamentit, Topalli gjithashtu është shprehur se pret një reagim pozitiv nga opozita për kufizimin apo heqjen e imunitetit.

Lidhur me këtë çështje, eurodeputeti Chountis ka theksuar se, e gjithë klasa politike duhet të dialogojë dhe të bashkëpunojë për heqjen e imunitetit.

“Kjo, jo vetëm sepse heqja e imunitetit është një kërkesë e KE-së, por edhe sepse është një mënyrë e mirë për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit”, ka nënvizuar ai.

Aktualisht dy partitë që dominojnë skenën politike shqiptare nuk po bien dakord për votimin e heqjes së imunitetit, me PS që pretendon se çështja kërkon një bisedim më gjithëpërfshirës dhe PD që synon mbajtjen e një referendumi. 

Top Channel