Berisha: Zjarret, krime të rënda

05/09/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha është i bindur se në shumicën dërrmuese të
rasteve, zjarret që kanë rënë në vend këto javët e fundit, nuk kanë të
bëjnë me temperaturat e larta, por me zjarrvënien nga njeriu.

Fatmirësisht, zjarret nuk kanë shkaktuar viktima, por dëmet e tjera kane qenë të konsiderueshme, veçanërisht në pyje, ku sipas Kryeministrit llogariten paraprakisht 1690 hektarë të djegur, në kullota, që digjen nga vetë barinjtë si praktikë e përvitshme janë djegur rreth 4000 hektarë dhe në shkurre llogariten si te djegura 600 hektarë.

“Ne bindjen time me te thelle ne 99.99 per qind janë vepër e ligësise, kriminalitetit njerëzor, piromanë, keqdashës që djegin pronën njëri-tjetrit”, tha Berisha.

Kryeministri i denoi ashper aktet e zjarrvënies, që përveçse dëmtojnë pasurinë natyrore, vënë në rrezik edhe jetët njerëzore. Por Kryeministri u shpreh i pakënaqur nga veprimet e organit të akuzës.

“Jane arrestuar mbi 70 persona te dyshuar per implikime. Nje banor nga Golemi i Gjrokastres me çoi dje nje mesazh: ‘Na dogji ‘filani’. E arrestoi policia e liroi prokuroria'”, tha Berisha.

Duke theksuar angazhimin e qindra mjeteve dhe me shume se 3 mije njerezve ne shuarjen e zjarreve, Kryeministri Berisha u tregua kritik edhe me qendrimet e kreut te opozites ne trajtimin e çeshtjes se zjarreve.

“Eshtë për t’u dhimbur që opozita në një tradite unike në Europe, zoti Rama, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do të nxjerre kapital politik duke bërtitur dhe po te vini re, në asnjë nga deklaratat e tij nuk është bërë qoftë edhe një herë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit. Asnjë thirrje për të mbështetur zjarrfikësit”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Drejtësisë rishikimin e dënimit për zjarrvënien, një vepër që sipas tij duhet konsideruar krim i rëndë. 

Top Channel