Vritet adoleshenti në Lezhë, katër në pranga

04/09/2012 00:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të martës në fshatin Blinisht të rrethit të Lezhës.

Dy adoleshentë 17-vjeçarë kanë qenë viktima të të shtënave me armë, e për pasojë ka gjetur vdekjen 17-vjeçari Daniel Bardhoci, ndërsa është plagosur bashkëmoshatari i tij, Osvaldo Marku.

Pas plagëve të marra, dy të rinjtë janë shoqëruar menjëherë në spitalin e Lezhës, por Daniel Bardhoci nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Osvaldo Marku gjendet i shtruar në spital.

Ndërkohë pas mesditës së të mërkurës raportohet për arrestimin në Lezhë të katër personave, të cilët dyshohen se janë autorë të ngjarjes që shkaktoi një viktimë e një të plagosur.

Policia ka deklaruar se vrasja erdhi pas një grindjeje të ndodhur para një javë për motive banale, ndërsa nuk ka publikuar ende identitetet e të arrestuarve.

Milot, plagoset me armë zjarri 55-vjeçari

Ndërkohë paraditen e së mërkurës një ngjarje tjetër ka ndodhur në Milot, në qendër të qytetit duke shkaktuar panik mes kalimtarëve.

55-vjecari Pjetër Preçi është plagosur me armë zjarri në tregun e qytetit, ndërkohë policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, por nuk bën me dije identetin e tij.

Plagosja ndodhi pas një grindjeje të çastit mes Precit dhe autorit të krimit.

Top Channel