Skandali i konçensionit të kromit

04/09/2012 19:30

Skandali i konçesionit në minierën e Bulqizës merr përmasa të reja. Top Channel zotëron një dokument zyrtar që dëshmon se plani i i detyruar i investimeve në minierë ka rënë për herë të dytë, edhe pas shtyrjes së dyshimtë të afatit që bëri ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli në korrik të vitit 2009.

Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë tregon se që nga viti 2009, kompania ACR ka kryer vetëm 30 përqind të investimeve të detyruara për rritjen e sigurisë në punë dhe zgjatjen e jetës së minierës.

Kjo është hera e dytë kur marrëveshja konçesionare e Bulqizës rrëzohet ligjërisht. Konçesioni i minierës më të madhe të kromit në Shqipëri është miratuar që në vitin 2001. Bashkangjitur marrëveshja përmbante edhe një plan të detyruar investimesh për rritjen e sigurisë në punë, pëmirësimin e teknologjisë në minierë dhe zgjatjen e jetës së saj.

Por plani i investimeve nuk u zbatua si nga DARFO fillimisht ashtu dhe nga ACR më vonë. Në qershor të vitit 2009, kur afati ligjor kishte skaduar të dy kompanitë kishin kryer vetëm gjysmën e investimeve të detyruara. E gjendur përballe kësaj shkelje, që ligjërisht e rrëzonte konçesionin e minierës, ACR kërkoi shtyrjen e afatit të investimeve dhe shtyrjen për pagesën e gjobës që ajo duhet të paguante për mosrealizimin e tyre.

Vetëm 2 ditë pas kësaj kërkesë, në 9 korrik të vitit 2009, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli përmes një procedure të dyshimtë miratoi kërkesën më një vendim të vetin, duke anashkaluar Kuvendin, i cili ishte organi që kishte miratuar marrrëveshjen konçesionare.

Pa kërkuar miratimin në Kuvend, zoti Ruli i dha të drejtë kompanisë që 11.4 milionë dollarët që duhet t’i kishte investuar t’i riskedulonte deri në fundin e vitit 2012. Parlalelisht ish-kreu i energjetikës shtyu edhe pagesën e gjobës prej 1.6 milionë dollarësh, që kompania duhet të derdhte menjëherë në shtet për moskryerjen e investimeve.

Por tashmë kur kanë mbetur edhe me pak se 4 muaj nga afati i skadimit, kompania sërish e ka shkelur planin e investimeve duke realizuar deri tani vetëm 3.6 milionë dollarë ose rreth 31 përqind të programit ligjor sic pranohet në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë.

Por dështimi me investimet nuk është shkelja e vetme e marrëveshjes. Në dokument, Ministria pranon se edhe gjoba prej 1.6 milionë euro, që ACR duhet të paguante brenda gushtit të vitit 2010 nuk është shlyer ende dhe sic pretendon ACR kjo ka ndodhur pasi Ministria e Financave nuk i ka rimbursuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sipas Acr, çështja po negociohet dhe është drejt zgjidhjes.

Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë hedh të tjera dyshime të forta mbi konçesionin e minierës së Bulqizës, investimet në të cilën duhet të kishin përfunduar ligjërisht në vitin 2009, por që deri tani, tre vjet më vonë është kryer vetëm gjysma e tyre.

Ndërkaq gjatë kësaj periudhe dhjetëra minatorë kanë humbur jetën për shkak të kushteve të munguara të sigurisë dhe shfrytëzimit barbar të minierës.

Bello: i qartë abuzimi me këtë pasuri madhore kombëtare

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello, në një intervistë direkte nga studio e lajmeve të “Top-Channel”, komentoi situatën në minierën e kromit në Bulqizë.

Top Channel – Çfarë do të thote shtyrja dy herë e planit të investimeve dhe penaliteteve? Meqënëse plani i investimeve ka qenë pjesë përbëresë e marrëveshjes koncensionare që është miratuar nga Parlamenti, a do të thotë mosrealizimi i investimeve, dështim i marrëveshjes?

Bello – Pikërisht, është një dështim, madje një dështim i përsëritur i marrëveshjes dhe një nga shembujt e keqtrajtimit të këtyre marrëveshjeve në Shqipëri. Do të thoja që është mungesë e përgjegjësisë së qeverisë në trajtimin e një pasurie kaq të madhe kombëtare. Vetë marrëveshja mes Rulit dhe “ACR”r-së nuk ka pasur asnjë lloj justifikimi në kohë si duhej bërë, as ka qenë ligjore dhe kanë munguar garancitë potenciale, duke bërë që të rikthehemi në këtë situatë tre vjet më pas”.

Top Channel – Cilat janë dëmet nga mosrealizimi i investimeve? Çfarë dëmi ka ekonomia shqiptare nga ky mosrealizim, tashme për herë të dytë i marrëveshjes?

Bello
– Realisht, dëmet janë në shumë plane. 3,6 mln dollarë investime kur duhet të ishin dyfish përkthehen me humbje shumë të mëdha ekonomike. Humbja e dytë është strategjike, e hapjes së minierës drejt thellësisë dhe kjo bën të rrezikohet hapja e minierës dhe rezervat mbi 200 mln euro të bllokohen, duke rrezikuar edhe jetën e një qyteti minarotesh që po japin jetën në minierë. Kompania aktuale ka nxjerrë mineralin e ndodhur në sipërfaqe, që ka pak kosto dhe një fitim të madh, por tashmë një pjesë e këtij fitimi duhet të shkojë për hapjen e galerive në thellësi më të mëdha. Nëse investimi nuk bëhet, pasuritë mbeten të bllokuara”.

Top Channel
– Çfarë propozoni ju si ekspert? Më saktë, si duhet të zgjidhet kjo situatë?

Bello
– Mosrealizimi ka kushtuar jetë të tëra njerëzish dhe zgjidhja është e vonuar, por ekziston dhe ekzistonte edhe në 2009, kur “ACR”-së iu bë një falje, një amnisti. Të gjitha kërkesat e tjera duhet të futen në kuadrin ligjor dhe duhet bërë marrëveshja e detyrueshme me ligj. Përse ka ndodhur? Siç thashë, është një mungesë përgjegjësie, që prej ministrit Ruli dhe të gjithë ministrave të tjerë që e pasuan”.

Top Channel