Banda e Cërrikut, zbardhet vendimi

04/09/2012 19:40

Tre muaj pasi shpalli tre pafajësi  dhe urdhëroi lirimin e menjehërshëm të LLazar Bicjes, Met Bozit dhe Skënder Canos të bashkëakuzuar për masakrën e Cërriku, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka zbardhur vendimin me arsyetimet përkatëse për secilin nga nëntë të akuzuarit e prokurorisë.

Sipas Gjykatës së Apelit,Llazar Bicja cilësohet i pafajshëm për vrasjen në rrethana cilësuese për pesë efektivët Besnik Sula, Halit Haxhiu, Bashkim Mnella, Sali Martini dhe Petrit Ndoj dhe plagosjen e 16 të tjerëve pasi përfundimet e arritura nga shkalla e parë thotë trupa gjyqësore nuk janë të drejta,  sepse sipas vendimit që Top Channel disponon (fq 106 -107) Gjykata e Shkallës së Parë ka konkluduar si mënyrë të gabuar për vlerësimin e provave në të cilat Bicja konsiderohet në rolin e shtytësit dhe nxitësit për masakrën.

Konkretisht, thotë Gjykata e Apelit, dëshmia e bashkëpuntorit të drejtësisë Bujar Buzani nuk jep të dhëna për veprimet e Llazar Bicjes në momentin kur forcat e policisë janë qëlluar me armë zjarri në qendër të qytetit, kjo sepse shton gjykata,  dëshmitari nuk ka qenë bashkë me Bicjen tek kinemaja e qytetit.

Gjykata e Apelit thotë se Shkalla e Parë ka përdorur dy standarde në marrjen e dëshmive, për rastin e vrasjes së efektivit Qemal Mehmeti për të cilin Gjykata e Apelit konstaton se për këtë të pandehur Gjykata e Shkallës së Parë ka mbajtur qëndrim të njëanshmën duke mos analizuar edhe provat e kundërta që hedhin dritë mbi veprimet e të pandehurit Bicja, prova që vërtetojnë të kundërtën e asaj që pretendon prokuroria.

Me rëndësi për Gjykatën është deklarata e ish-kryetares së Bashkisë Cërrik, shprehet Apeli, i shtetases Mishelina Xhela , e cila thotë se Llazar Bicja bashkë me përfaqësues të forcave politike të tjera kanë qenë në zyrën e saj gjatë kohës që ka ndodhur masakra.

Gjykata përdor për Bicjen edhe një argument tjetër sic është fakti me ngjarjet e  23 majit 1997, i cili sipas gjykatës nuk është realizuar thjesht mëngjesin e asaj date, por është rrjedhojë e një situate ku për disa ditë me radhë rendi ishte shthurur pothuajse plotësisht, ku veprimet kriminale të grupeve të caktuara kontrollonin akset rrugore dhe sheshet e qyteteve, ku popullsia ishte e armatosur në masë, ku ditën e ngjarjes ka patur qindra qytetarë të armatosur, situatë për të cilen nuk mund të bëhet fajtor si organizator i saj i pandehuri Llazar Bicja thuhet me tej.

Edhe për pafajësinë e Skënder Canos gjykata u referohet dëshmive ku sipas apelit asnjë nga deklaruesit nuk pohon se Cano ka qëlluar viktimën Qemal Mehmeti dhe se organi i akuzës, thotë gjykata, nuk ka sjellë prova bindëse për të vërtetuar si ka ndodhur ngjarja për vrasjen e efektivit Mehmeti sepse në rast se viktima do të ishte qëlluar në ikje drejtimi i predhës do ishte nga mbrapa para dhe jo e kundërta sic konkludon ekspertiza i mjekësisë ligjore.

Edhe për të pandehurin tjetër Met Bozi, i cili u shpall i pafajshëm gjykata shprehet se dëshmia  e dëshmitarit të drejtësisë Bujar Buzani gjithashtu i pandehur është pa fuqi provuese për sa i përket rolit të tij në organizimin e vrasjeve të pretenduara nga akuza, thotë Apeli për Krimet e Rënda.

Top Channel