21 janari dhe ndalimi i Memës

04/09/2012 20:10

Gjatë një takimi me përfaqësues të Këshillit të Europes, shoqeria civile shqiptare ka referuar një sërë shqetësimesh që ka në lidhje me procesin gjyqësor të 21 janarit në vend.

Kreu i Komititetit të Helsinkit, shprehet se i transmetoi të dërguarve të Këshillit të Europës, një sërë rezervash në lidhje me procesin.

”Ne i referuam me forcë komisionerit çështjen e mosshqyrtimit nga gjykata të palës civile të 21 janarit dhe kërkesëpadinë e njerëzve të dëmtuar, për një dëshpërblim civil. Këtu (21 janari) ka disa aspekte e deklarata që nuk duken aspak ligjore, siç ishte deklarata e kryeministrit që kërkoi të vihej përpara drejtësisë Prokurja e Përgjithshme apo ish-Presidenti i Republikës në lidhje me qëndrimin e mbajtur për 21 janarin”, u shpreh Vjollca Meçe, kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinikit.

Numri një i Komitetit të Helsimkit deklaroi gjithashtu se rasti i ndalimit të gazetarit Marin Mema dhe i disa gjyqtarëve në kufirin me Greqinë, duke i shpallur ata “non grata” pa i njoftuar më parë përbën një rast flagrant të cënimit të të drejtave të njeriut.

”Ata nuk ishin informuar më parë për shpalljen “non grata” dhe për ditë të tëra nuk u njoftuan për shkakun. Komiteti është i shqetësuar, ndonëse Ministria e Jashtme ka reaguar për këto dy raste, por mungon ende një përgjigje nga autoritetet greke, gjë që vendos në alarm qytetarët shqiptarë që ndodhen përballë një mungese të plotë sigurie në shtetin fqinj”, shtoi Meçe.

Top Channel