Prej katër ditësh më shumë se 350 ushtarë dhe forca komando po përpiqen të mbajnë nën kontroll zjarrin në pikën më të lartë të malit të Dajtit, në zonën pranë antenave, me lopata dhe mjete rrethanore ushtria po kufizon vatrën e zjarrit duke hapur një sipërfaqe të ngjashme me një kanal.

Për shkak të terrenit të vështirë ku është e pamundur të kalohet me mjete zjarrfikëse, por edhe pse zjarri nuk është në pemë por në gjethet e kalbura dhe humus, është vlerësuar si e panevojshme edhe ndërhyrja nga ajri.

Drejtori i Parkut të Dajtit, Lutfi Miftari, tregon për Top Channel se çfarë po ndodh.

“Kjo hapje traseje bëhet për të parandaluar vazhdimin e djegies së humusit, për të mos kaluar në krahun perëndimor të Dajtit”, shprehet Miftari.

Ndërkohë në Dajt ndodhet edhe zëvendëskomandanti i batalionit komando, major Besim Bala, i cili shpjegon masat e ushtrisë për këtë situatë: “Aktualisht kompania është hapur në një distancë prej 1.2 kilometër dhe po hapin një trase 6-10 metra të gjerë.”

Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga banorët e fshatrave pas malit të Dajtit, ndërkohë që për të kufizuar flakët reagimi i komnunitetit vendas ka qenë krejt indiferent.

Top Channel