Digjet kamioni me konfeksione

03/09/2012 16:45

Një kamion me targa të huaja ka marrë flakë teksa ishte duke ecur përgjatë aksit nacional Elbasan-Përrenjas.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës, në vendin e quajtur Hotolisht, ku mjeti tip kamion, i ngarkuar me konfeksione ka marrë flakë si pasojë e një defekti teknik.

Burime nga policia bëjnë me dije se fatmirësisht nuk ka patur të lënduar nga shpërthimi i zjarrit, por në këtë aks është provokuar një paralizim total i qarkullimit të mjeteve për më shumë se një orë.

Vargu i makinave që janë bllokuar në trafik ka shkuar më shumë se 2 kilometra. Menjëherë në vendngjarje është nisur një grup hetimor, së bashku me specialistët e qarkullimit rrugor, për të normalizuar situatën.

Paraprakisht dyshohet se zjarri është provokuar në një prej gomave të pasme të kamionit, e më pas ka përfshirë të gjithë mjetin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Drejtuesi i mjetit, me nënshtetësi turke, ka mundur që të dalë në kohë nga kamioni i përfshirë nga flakët, duke shmangur një tragjedi. Për të shuar zjarrin, në vendngjare kanë qenë dy mjete të shërbimit të zjarrëfiksve.

Top Channel