Zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli, njoftoi sot se kryeministrit ka firmosur vendimin për reduktimin e listës së importit të mbetjeve nga 56 në 25 artikuj.

Sipas Mëhillit, kjo është bërë në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në listë kanë mbetur artikuj që janë jetike për industrinë e riciklimit.

“Bashkimi Evropian ka një listë prej mbi 460 artikuj mbetjesh jeshile, qarkullimi i lirë i të cilave është i detyrueshëm për vendet anëtare dhe natyrisht Shqipëria, duke avancuar në procesin e saj të integrimit do të pranojë standardet dhe normat e kërkuara nga ky proces. Por në stadin aktual, qeveria, pas konsultimesh të gjera me shoqërinë civile, zërin e të cilës Kryeministri është i vendosur ta dëgjojë, pas konsultimesh me grupet e interesit dhe biznesin, konstatoi se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë, të cilët përdoreshin gjerësisht nga industria e riciklimit në Shqipëri, industri në të cilat janë investuar nga sektori privat vendas e të huaj mbi 400 milionë euro, nga letra te metalurgjia dhe ku janë punësuar mbi 3000 punonjës në vend. Qeveria fton edhe njëherë organizatat jo qeveritare të fushës së mjedisit dhe shoqërinë civile, të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre të pandërprerë në mbrojtjen e tij, sikundër ju bën thirrje të shmangin rënien në anti-globalizëm, i diskretituar tashmë si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit”, theksoi Mëhilli.

Top Channel