Atentati në Shkodër, vdes edhe 22-vjeçari

01/09/2012 00:00

Ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës Jurgen Marku, 22-vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë dy ditë më parë kur babai i tij, Frederik Marku u qëllua për vdekje në një atentat para spitalit të qytetit verior.

Po mëngjesin e së shtunës i është vënë zjarri në fshatin Theth të Dukagjinit hotelit të viktimës, Frederik Markut. Flakët shkrumbuan gjithë hotelin dykatësh, restorantin dhe një furgon që ishin pronë e Frederik Markut.

E gjithë ngjarja e rëndë, ku mbetën të vrarë babë e birë dhe u dogj hoteli i tyre, ka pasur një motiv krjet banal. Sherri ka nisur nga një konflikt i çastit mes viktimës dhe autorëve në lidhje me pluhrin në rrugë që shkaktonte automjeti i autorëve në fshatin Theth, pranë hotelit të viktimës.

Autorët e ngjarjes, që janë nga Dukagjini por banues në Shkodër, kanë qenë atë ditë në Theth për një drekë, por në hyrje të fshatit janë ndalur nga viktima Frederik Marku, i cili bashkë me të birin u kanë thënë tre të rinjve që të ulin shpejtësinë e makinës sepse po bënin pluhur.

Mes palve ka nisur një debat dhë babë e bir, Frederik dhe Jurgen Marku kanë goditur me mjete të forta tre personat që ndodheshin në makinë. Më pas dy palët janë shoqëruar në polici, por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga komisariati, dy familjarët janë qëlluar për vdekje nga dy persona që lëviznin me motor.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme policia e Shkodrës prangosi 25-vjeçarin Leonard Nika, si bashkautor në vrasjen, por i arrestuari mësohet se nuk ka pranuar asnjë akuzë, duke u shprehur se nuk ka asnjë lidhje me  vrasjen.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim për ngjarjen edhe një person tjetër, i cili dyshohet që është dhe personi që ka kryer ekzekutimin.

Aktualisht forca të shumta policore janë duke zhvilluar disa aksione në fshatin Theth, pasi policia ka informacione se autori kryesor i ngjarjes është duke lëvizur i armatosur në malet e Dukagjinit.

Top Channel