MASH: Të gjithë nxënësit me libra

31/08/2012 00:00

Pas radhëve të gjata dhe mungesave të librave nëpër shkolla, ka reaguar Ministria e Arsimit, e cila thekson se më 10 shtator të gjithë nxënësit do të jenë të pajisur me libra.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi sqaron se, nëse javën e dytë botuesit nuk do të nxjerrin në treg librat që mungojnë, ato do të zëvendësohen me alternativat e dyta.

“50 për qind e nxënësve i kanë blerë tekstet dhe botuesit që s’kanë qenë korrektë në fillim, tani kanë nisur t’i shpërndajnë. Në rast të kundërt do të zgjidhet alternativa e dytë. Viti i ri shkollor do t’i gjejë të gjithë nxënësit me tekste”, ka deklaruar Kristiqi.

Ministria e Arsimit pohon se të paktën 50% e nxënësve janë pajisur me tekste në gjithë vendin. Një pjesë e madhe e prindërve kanë deklaruar se nuk janë pajisur me faturën tatimore, në mënyrë që ata të rimbursohen, por ky fakt është hedhur poshtë nga ministria.

“Janë 500 mijë blerës, 2 pika shitjeje dhe shiten shumë libra. Ne synojmë ta mbarojmë këtë në 10 shtator, ditë që shënon dhe fillimin e vitit të ri shkollor”, ka shtuar Kristiqi. Këtë vit për herë të parë janë nxjerrë tekste edhe për arsimin profesional.

Top Channel