Lojërat e fatit, te ish-Uzina Autotraktorëve

31/08/2012 00:00

Të gjitha lojërat e fatit që shtrihen në territorin e ‘Bashkisë së
Tiranës’ do të grupohen në zonën e ‘ish Uzinës së Autotraktorëve në
Shkozë’.

Për të nxitur zhvendosjen e këtij aktiviteti sa më shpejt në periferi të kryeqytetit, Bashkia i ka propozuar ‘Këshillit Bashkiak’ vendosjen e një takse të përkohshme për subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qendër.

Sipas propozimit, taksa do të aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori, sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit. Kështu për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës deri në datën 31 mars 2013 është: Për subjektet e zonës A, 1.000 lekë/m2; për subjektet e zonës B, 700 lekë/m2;për subjektet e zonës C, 500 lekë/m2.

Subjektet që zhvendosin aktivitetin në periferi brenda datës 31 dhjetor, përfitojnë rimbursim 100 për qind të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse. Kurse për zhvendosjen brenda datës 31 Mars 2013, rimbursimi është në vlerën 50%.

Për lojërat e tjera të fatit si baste sportive, Lotari Kombëtare apo bingo niveli i taksës është 5000 lekë/muaj. Pas miratimit në Këshillin Bashkiak, ky vendim hyn në fuqi më datën 1 tetor 2012.
 
Aktualisht në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licensuara, me 81 salla me kompiutera dhe makina elektronike dhe 7 subjekte të licensuara për baste sportive, me 801 pika shitjeje si dhe 10 bingo. Vendimi i bashkisë për zhvendosjen e këtyre subjekteve në periferi vjen për shkak të rritjes së përdoruesve të lojërave të fatit edhe nga te miturit, pasojave sociale që pasojnë këtë aktivitet si grindjet brenda familjes si dhe rritjen e shkalles se kriminalitetit qe buron nga ky aktivitet.
 

Top Channel