Anti-droga, katër të arrestuar në tre operacione

31/08/2012 09:25

Tre operacione anti-drogë gjatë mëngjesit të së premtes sollën arrestimin e katër shtetasve dhe sekuestrimin e qindra kilogramëve lëndë narkotike kanabis.

Operacionet u raportuan zyrtarisht nga forcat e rendit.

Në një kontroll rutinë në Durrës, në një furgon që po imbarkohej në një traget në Itali, u zbulua një sasi prej 180 kilogramësh hashash, të paketuar dhe të fshehur me kujdes.

Lënda narkotike ndodhej në kamionin me targa AA 057 EU dhe në pranga u vendos drejtuesi i mjetit, shtetasi P.I., nga Vlora.

Dy operacionet e tjera u zhvilluan në rrethin e Gjirokastrës, me forcat e rendit që vendosën fillimisht në pranga shtetasit Kostandin Kasneci dhe Sotir Kristani, pasi u zbulua se ata kultivonin kanabis në parcelën e tyre të tokës në fshatin Zagori.

Në total, të arrestuarit kishin mbjellë 147 rrënjë kanabis, të shkatërruara nga policia.

Paralelisht, në fshatin Hormovë, u bë i mundur sekuestrimi i 75 kilogramëve hashash, me destinacion Greqinë.

Njëri prej dy transportuesve, 43-vjeçari Landi Zoi u prangos, ndërsa tjetri arriti të arratisej dhe është shpallur në kërkim nga policia.

Së fundmi, operacionet në shkallë të gjerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike kanë sjellë në sekuestrime dhe arrestime pothuajse të përditshme, duke treguar se tregëtia e paligjshme e kanabisit është një prej sektorëve të paktë të paprekur nga kriza ekonomike dhe se fenomeni është me të vërtetë i përhapur në vendin tonë.

Top Channel