Ndalohet furgoni me 500 kg marijuanë

29/08/2012 18:20

Policia e Gjirokastrës realizoi ndalimin e disa qindra kilogramëve lënde narkotike të llojit marijuanë, në një aksion të realizuar pasditen e së mërkurës, në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë.

Droga ishte duke u transportuar në një furgon mallrash, i cili kishte për destinacion Greqinë.

Nga të dhënat paraprake, prejardhja e lëndës narkotike dyshohet se ishte prej Lazararit, ndërsa në total, në disa çanta të paketuara, u zbuluan rreth 400-500 kilogramë marijuanë.

Pasi kuptuan se ishin duke u ndjekur nga forcat e rendit, drejtuesit e mjetit braktisën furgonin pranë një rruge të braktisur dhe humbën gjurmët në një zonë pyjore.

Mësohet se është duke u punuar për identifikimin e tyre.

Më parë gjatë ditës së mërkurë, rreth 720 kilogramë marijuanë u ndaluan në portin e Durrësit, në një provë të re se aksioni mbarëkombëtar anti-drogë i policisë nuk është duke dhënë rezultate të dukshme për ndërprejen e trafikut.

Gjithashtu gjatë ditës, 93 kilogramë marijuanë u ndaluan në afërsi të Gjirokastrës, në afërsi të fshatit Nepravishtë.

Në dy operacionet e fundit, dy shtetas u vendosën nën pranga, ndërsa të hënën, bëri bujë arrestimi i tre vajzave në portin e Durrësit, pasi u zbulua se në mjetin e tyre ishin duke transportuar heroinë drejt Italisë.

Vlorë, 59-vjeçarja arrestohet me heroinë

Në orët e vona të së mërkurës, një tjetër operacion anti-drogë vendosi në pranga një 59-vjeçare në qytetin e Vlorës.

Shtetasja Lizheta Zharra kishte fshehur në trup lëndë narkotike, kur tentoi të ngjitej në bordin e linjës Vlorë-Brindizi.

Nga kontrolli i realizuar prej policisë, asaj u gjetën të fshehur në trup një sasi prej 500 gramësh lëndë të dyshuar si heroinë.

Top Channel