Pengimi në kufirin grek i gazetarit të Top Channel, Marin Mema dhe shpallja e tij si person i padëshiruar në Greqi, ka sjellë reagime edhe në Parlamentin e vendit fqinj.

Deputetja e së majtës radikale, Maria Janakaqi ka kërkuar interpelancë lidhur me sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe proçedurën e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit për shpalljen e Marin Memës person “non grata” në Greqi.

Në kërkesën për interpelancë, deputetja shkruan se pavarësisht se nuk është dakord me temën e reportazheve të gazetarit të Top Channel dhe qëndrimit të medias ku ai punon për një sërë temash, kërkon të dijë proçedurat e shpalljes së gazetarit si “i padëshiruar”.

“Vendimi për shpalljen si person i pa dëshiruar në Greqi për gazetarin Marin Mema ka sjellë reagime të ashpra të qeverisë shqiptare, të opinionit vendas atje, në Greqi, si dhe në qarqet mediatike europiane”, shkruan deputetja Janakaqi.

Sipas saj, pakënaqësia e palës shqiptare u shpreh nëpërmjet thirrjes së të ngarkuarit me punë në ambasadën greke në Tiranë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme shqiptare.

“Reagime ka dhe në opinionin publik, shoqërinë civile dhe shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Europë. Ky vendim shkel konventat ndërkombëtare të lëvizjes së lirë, krijon klimë negative në marrëdhëniet dypalëshe dhe prek rëndë të drejtën e fjalës së lirë dhe mendimin e personit”, nënvizon deputetja.

“E shqetësuar për këtë, kërkoj të dij prej ministrit të Brendshëm aresyet përse u mor ky vendim dhe nëse policia e shtetit do të nxjerrë ndonjë komunikate, ku do të informojë mbi provat dhe arsyet e këtij vendimi”, vijon deputetja.

Ky është reagimi i parë në nivel politik në Greqi mbas pengimit pak ditë më parë të Marin Memës që të kalonte kufirin. Ndonëse ende nuk është bërë publike dita që ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit do t’i përgjigjet interpelancës, tashmë reagimet lidhur me rastin Mema janë shprehur haptazi edhe në Athinë, duke shtuar kështu presionin mbi Athinën zyrtare lidhur me këtë rast.

Reagime pritet të kenë edhe grupimet e tjera politike dhe shoqatat mediatike vendase, ndërsa lajmi për pengimin e gazetarit u publikua ndonëse pa komente, pothuaj në të gjitha mediat vendase.

Top Channel