Rrethi i Vlorës është tronditur që në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë nga një vrasje e ndodhur në qytetin e Orikumit.

Sipas burimeve policore, 45-vjeçari Sokol Veizi gjeti vdekjen e menjëhershme në një lokal në të cilin ndodhej, pasi u qëllua me disa plumba nga autorë ende të paidentifikuar.

Aktualisht, policia është duke hetuar të shkuarën e viktimës dhe pistat që mund të kenë motivuar vrasjen e tij.

Ky krim i shëmtuar vjen pas një jave të mbushur me ngjarje të kronikës së zezë, me disa vrasje të tjera të shënuara gjatë javës.

Ditën e martë, një shtetas u qëllua për vdekje me disa plumba në një lokal në Fier, ndërsa një tjetër vrau bashkëfshatarin e tij me thikë, pasi delet e viktimës po kullosnin në fushën me jonxhë të vrasësit pa miratimin e tij.

Ditën e enjte, në një pritë ndaj dy vëllezërve në Shkodër, njëri mbeti i vrarë dhe tjetri është ende duke luftuar për jetën e tij në spital, ndërsa të premten, dhëndri vrau vjehrin 65-vjeçar dhe veten në fshatin Seman të Fierit.

Gjatë dy ditëve të fundit, ngjarjet e kronikës, fatkeqësisht janë “pasuruar” edhe me disa aksidente rrugore, në të cilat humbën jetën pesë shtetas.

Top Channel