Meta: Imuniteti të zgjidhet në Kuvend

26/08/2012 00:00

Çështja e heqjes së imuniteteve mund dhe duhet të zgjidhet më mirë dhe më shpejt në Parlament dhe me konsensus, dëklaroi sërish Ilir Meta.

Kryetari i LSI, aleat i kryeministrit Berisha, që për imunitetet kërkon zhvillimin e një referendumi popullor, e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në Fier.

“Ne kemi qenë prej vitesh për heqjen e imunitetit për gjithë zyrtarët dhe të vazhdohet me gjithë qytetarët e tjerë. Kjo është e domosdoshme, një kërkesë jo vetëm e ndërkombëtarëve, por edhe e shqiptarëve, që mund të shprehen me referendum. Megjithatë, është më mirë që të zgjidhet më lehtë duke votuar në Parlament në dy ose tre javët e ardhshme”, deklaroi Meta.

Në fillim të muajit LSI këkroi votimin e paketës për heqjen e imuniteteve, pasi sipas saj kjo nuk është një betejë politike dhe as një test force, por një detyrim i politikës për integrimin e vendit.

“Për LSI nuk vlen debati apo retorika që nuk i çon palët tek konsensusi edhe për votimin e ndryshimeve që kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

“Heqja e imunitetit nuk mund të jetë një test force për një parti ndaj një tjetre, por një test për të treguar se sa janë të angazhuara partitë politike për të plotësuar rekomandimet për anëtarësimin në BE”, nënvizoi Rama.

Top Channel