Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Ditmir Bushati, denoncoi deklaratat e konsideruara kondradiktore të zyrtarëve të lartë të shtetit, në lidhje me marrëveshjen e ujrave detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshje e shfuqizuar dy vjet më parë nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare.

Opozita kërkoi transparencë dhe vendime më të qarta nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. ”Na pëlqejnë apo jo, vendimet e gjykatave janë vendime të detyrueshme për t’u zbatuar dhe sot është momenti në të cilin qeveria shqiptare dhe më posaçërisht Ministria e Punëve të Jashtme, të vijë me një strategji, se çfarë do të bëjë, jo vetëm me të ashtuquajturën marrëveshje e detit me fqinjët jugorë, por se cilat janë edhe rrugët që do të duhet të ndjekë për këtë proces. Nga njëra anë thuhet që ka një grup pune për këtë marrëveshje, nga ana tjetër thuhet që nuk ka të tillë”, deklaroi Bushati.

Sipas deputetit socialist, në lidhje me çështjen, gjithçka është e qartë, si në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe të Drejtës Ndërkombëtare Publike Detare dhe nuk duhet të abuzohet më tek. “Është qeveria e Berishës, ajo që i krijoi këtë pasojë fatkeqe marrëdhënieve Shqipëri-Greqi dhe është kjo qeveri që këtë gjyle, tashmë nuk di se si ta heqë nga këmbët. Është koha për gjithpërfshirjes, është koha për transparencë të plotë, është koha për atdhedashuri dhe nuk është koha për të abuzuar”, shtoi Bushati.

Deputeti Bushati bëri me dije se Partia Socialiste do të vazhdojë të monitorojë çështjen dhe do të kontribuojë për të.

Top Channel