“Shaqiri duhej shkarkuar në 21 janar”

24/08/2012 00:00

Kur kanë kaluar dy javë nga shkarkimi Bahri Shaqirit si drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe emërimi i Visho Ajazit në këtë detyrë, kryeministri Berisha për herë të parë shpjegoi arsyet e këtij shkarkimi.

Sipas kryeministrit, roli i këtij shërbimi për 21 janarin ishte pothuajse inekzistent për të informuar rreth asaj çdo të ndodhte.

Zoti Berisha tregoi se qeveria shqiptare kishte marrë informacione nga agjenci të shërbimeve sekrete të huaja për atë që do ndodhte, por pa specifikuar se cilat ishin ato.

“Zëvendësimi i kreut të SHISH ka pasur dy arsye. Çdo zyrtar i ekzekutivit duhet të jetë me një mandat të caktuar. 21 janari ishte një nga ngjarjet më tragjike. U parapri nga slogane puçiste. Për të gjitha këto, burime nga më të shumtat, përfshirë agjenci të huaja, informuan qeverinë se 21 janari do të jetë një përpjekje shumë e rëndë për përdorimin e forcës. SHISH varet nga kryeministri. Ai nuk dha qoftë edhe një gërmë informacioni. Kjo, me atë që ndodhi, do të ishte një motiv i plotë për ta shkarkuar”, deklaroi Berisha.

Kryeministri dha një përgjigje anashkaluaese kur u pyet nga Top-Channel përse amerikanët nuk u përfshinë në konsultimet për emërimin e Visho Ajazit në krye të SHISH, kur dihet interesimi konstat ndër vite ndaj shërbimit inteligjent prej SHBA-ve.

“Konsultat për problemet e sigurisë me aleatin kryesor janë të pandërprera dhe ne çdo problem që kemi e trajtojmë haptas me aleatët tanë”, theksoi Berisha.

Në vijim të përgjigjes për SHISH, kryeministri Berisha ripërsëriti akuzat ndaj ish-presidentit Topi dhe liderit të opozitës Rama për rolin e tyre në 21 janar, duke theksuar se askush nuk do të mund t’i shpëtojë përgjegjësisë për atë ngjarje.

“Kurrë Edi Rama nuk do guxonte të ndërmerrte atë që bëri pa mbështetjen direkte të “Topit” të tij. Ky problem po ecën në rrugën ligjore, ai do të hetohet në mënyrën më absolute. Duhet ta dinë ata që e organizuan përpjekjen për të përmbysur me dhunë pushtetin, se hetimi do të jetë i plotë. Shpirtrat e viktimave kërkojnë drejtësi”, deklaroi Berisha.

Letër e hapur e familjarëve të Aleks Nikës

Familjarët e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë më 21 janar, publikuan një letër të hapur në të cilën përshkruajnë zhgënjimin e tyre për zbardhjen kësaj ngjarjeje pas zhvillimeve të fundit politike.

Ata përmendin në letër atë që e cilësojnë si “marrje të institucioneve nga kryeministri Berisha”.

“Kam pritur me shpresë letrën e ambasadorit Alexander Arvizu duke na premtuar drejtësi për 21 janarin, sidomos pas përfundimit të hetimeve të FBI-së që vërtetuan projektin kriminal për vrasje të paramenduara. Kam pritur me shpresë se opozita do të luftonte deri në fund dhe me çdo mjet për t’i kthyer vrasjet politike në simbol shprese për luftën ndaj vrasësve dhe jo në simbol dëshpërimi dhe frike siç po tentohet të kthehen”, shkruan në letër xhaxhai i Aleks Nikës, avokati Mark Nika.

“Kur shpresat tona për drejtësi kanë humbur më shumë se kurrë, kur vrasësit i shikojmë si gradohen nëpër institucione, kur ekspertiza e FBI-së hidhet në kosh si letër higjienike, kur opozita e lodhur dhe e shpërqendruar në betejën e saj gati ka frikë të çojë në mendje protestat për shkak të 21 janarit, na riktheu tek ajo ditë vetë njeriu kryepërgjegjës i 21 janarit, Sali Berisha”, shkruan më tej Mark Nika.

Ai e mbyll letrën e tij duke thënë se vazhdon të shpresojë se “drejtësia do të triumfojë dhe projekti juaj kriminal”, duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, për vrasjet politike të paramenduara do të ndëshkohen.

“Nuk kemi ndërmend të vdesim pa e parë këtë ditë”, përfundon letra e Mark Nikës.

Braçe: Berisha s’do falet për 21 janarin

Në një mesazh elektronik, deputeti Erjon Braçe komentoi deklarat e zotit Berisha për 21 janarin.

“Sali Berisha është një kriminel tipik. Ka të gjitha karakteristikat e vrasësit, por më gjakatarit ama. Sot i është kthyer vrasjeve shtetërore të 21 janarit! Dhe ka të drejtë! Deri më sot ka pohuar botërisht se ai personalisht ka urdhëruar vrasjet më 21 janar dhe nuk e ka vënë kërkush nën hetim! Kjo nuk ndodh kërkund, veçse në Siri”, thekson Erjon Braçe.

“Harroje se do të ta falë kush vrasjen. Ti mund të vrasësh prapë, një, dy, tre, pesë, dhjetë, njëqind. Amanet do të kthehet drejtësia për ty! Drejtësi me ty, kudo që të jesh”, është shprehur Brace.

Top Channel