Kushtetuesja rrëzoi referendumin

24/08/2012 00:00

Nisma e maxhorancës për mbajtjen e një referendumi popullor për çështjen e imunitetit ka hapur prej disa javësh një debat të gjerë juridik mbi rregullat dhe proçedurat që duhen ndjekur.

Kryeministri Sali Berisha në një dalje publike para mediave ritheksoi se maxhoranca i ka instrumentat ligjorë për të realizuar nismën e saj.

“Neni 155 i Kushtetutës. Ky nen autorizon qeverinë si institucion për të drejtën për të kërkuar mbajtjen e referendumit, autorizon 500 mijë qytetarë”, sqaroi Berisha.

Por pavarësisht se kryeministri citon gjithë kohës nenin 155 të Kushtetutës, ky nen rregullon marrëdhëniet tatimore, ndërsa neni që parashikon mekanizmat për thirrjen e referendumit dhe që ka ndërmend kryeministri është ai 150.

Sipas këtij neni, Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve, ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

Por nisma e maxhorancës për heqjen e imuniteteve kërkon rishikimin e Kushtetutës së vendit. Pikërisht për shkak se kërkohet rishikimi i Kushtetutës, në këtë pikë hyn në lojë një tjetër nen,  që është ai 177, i cili sansksionon se projekt/amendamentet kushtetuese kërkojnë votimin me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Kjo konfirmohet qartë edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në korrik të vitit 2009.

Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve fillimin e proçedurave për mbajtjen e një referendumi popullor për shfuqizimin e ndryshimeve kushtetutese në prill të vitit 2008.

Pasi KQZ e hodhi poshtë kërkesën e LSI, kjo e fundit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila pas shqyrtimit të çështjes u shpreh se: “Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi për amendamentet kushtetuese vetëm brenda kufijve të parashikuar nga neni 177”.

Dhe në këtë nen, në pikën katër të tij, sanskionohet se Kuvendi mund të vendosë me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij që projekt/amendamentet kushtetuese të votohen me referendum, çka duket se pavarësisht këmbënguljes, nuk i lë shumë hapsira maxhorancës për nismën e saj.

Top Channel