Berisha: Referendum për imunitetet

24/08/2012 00:00

Pas dështimit për të miratuar në Kuvend ndryshimet kushtetuese që lidhen me heqjen e imuniteteve, maxhoranca ka avancuar përpjekjet në mbajtjen e një referendumi popullor për këtë çështje.

Kreu i mazhorances tha ne nje konference per shtyp se kerkesa bazohet ne nenin 155 te Kushtetutes dhe anashkaloi komentet per vendimin e Gjykates Kushtetuese, sipas te cilit, kerkohet votimi ne kuvend per kete ceshtje.

Kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp anunçoi iniciativën që do të ndërmarrë shumica në realizimin e referendumit.

“Mazhoranca vendosi t’u drejtohet qytetarëve shqiptarë për referendum popullor. Ky vendim u diktua nga vendosmëria jonë për të rrëzuar murin e imunitetit. Deputetët e mazhorancës do jenë ata që do dorëzojnë kërkesën për referendum brenda dy javëve të para të shtatorit”, deklaroi Berisha.

Zoti Berisha dha sqarime se ku bazohet ligjërisht kjo kërkesë për referendum. “Neni 155 i Kushtetutës. Ky nen autorizon qeverinë si institucion për të drejtën për të kërkuar mbajtjen e referendumit, autorizon 500 mijë qytetarë”, nënvizoi Berisha.

Sipas kryeministrit, të drejtuarit sovranit për çështjen e imuniteteve vjen pas një këmbëngulje 10-vjeçare nga PD, kur ishte në opozitë dhe tani në qeveri, por që është ndeshur me kundërshtitë e socialistëve. Zoti Berisha ftoi edhe deputetët e opozitës për t’iu bashkuar kësaj iniciative.

Rama: Integrimin s’e pengon imuniteti

Pas deklaratave të kryeministrit Berisha për inicimin e një referendumi për imunitetet, kreu i opozitës Edi Rama ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Twitter, ku thotë se:

“Sa më shumë Saliu flet për imunitetin, aq më shumë mendoj se duhet të jesh vërtet shumë budalla për të besuar se thotë të vërtetën!”.

Po për çështjen e imuniteteve Rama shprehet se: “S’është imuniteti që pengon hyrjen tonë në BE, po qeverisja që s’përmbush dot detyrat e BE-së, institucionet e kapura dhe mungesa e shtetit ligjor”.

“Nuk është as opozita që e bllokon integrimin, po është qeveria që fajëson në kor opozitën për të justifikuar dështimin e vet me integrimin”, thotë më tej Rama.

Ndalimi i gazetarit, Berisha: Rastin po e trajtojmë me seriozitet

Kryeministri Berisha kundërshtoi veprimet e shtetit grek për ndalimin e shtetasve shqiptarë që të hynë në territorin helen, siç ishte dhe rasti gazetarit të Top-Channel, Marin Mema.

I pyetur për të tilla zhvillime me të cilat shtetasit shqiptarë janë duke u përballur në kufirin grek, zoti Berisha dha këtë përgjigje.

“Në çdo vend mund të ketë persona që për një arsye ose tjetrën nuk pranohen, por personat të cilët janë refuzuar gjykoj se nuk kanë patur asnjë lidhje me kategoritë e delinkuentëve apo rrezikshmëri të kësaj natyre. Ndaj dhe ne po e trajtojmë me autoritet greke me seriozitet këtë problem”, deklaroi Berisha.

Gjatë konferencës për shtyp, kur u pyet nëse ka negociata me shtetin grek për kufirin detar, zoti Berisha tha se e gjitha është një sajesë e medias gjatë muajt gusht, nga efekti i mungesës së lajmeve.

“Nuk ka pasur asnjë grup pune, asnjë marrëveshje s’është negociuar dhe asnjë marrëveshje nuk është bërë. por qeveria do hapë negociatat për të zgjidhur me vendet fqinje të gjitha problemet që ekzistojnë. Këtu ne nuk kemi asnjë hezitim”, tha Berisha.

Top Channel