PS: Berisha injoron problemet e vendit

22/08/2012 17:30

Deputeti i PS, Ilir Beqja në një konferencë për shtyp ka akuzuar kryeministrin Berisha se me deklaratat e tij po përpiqet të devijojë vëmendjen nga problemet reale të vendit.

Nga selia rozë, Beqja ka vënë në dukje grabitjet dhe atentatet mafioze “që po ndodhin çdo ditë”, si dhe aferat korruptive në të cilat është përfshirë qeveria.

“Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në administratën doganore. Nga ky korrupsion buxhetit të shtetit i mungojnë 10 milionë dollarë”, ka deklaruar Beqja.

“Gjithashtu, Saliu duhet të flasë për korrupsionin me prokurimet publike. Për fat të keq, edhe prokurimi elektronik rezultoi një dështim i qeverisë së Berishës”, ka vijuar ai.

Deputeti socialist ka nënvizuar se për shkak të këtyre aferave, borxhi publik ka arritur në 800 miliardë lekë dhe situata sipas tij nuk ka gjasa të zgjidhet.

Ndërkohë, ai ka shtuar se korrupsion po ushtrohet edhe me lejet konçesionare, të cilat sipas tij po jepen në bazë të interësave klienteliste të kryeministrit.

Beqja ka premtuar se kur të vijë në pushtet, Partia Socialiste do t’i anulojë të gjitha kontratat që janë bërë në dëm të shqiptarëve.

“Ne e kemi konsideruar çështjen e konçesioneve si një çështje klienteliste. Një nga rastet është bllokimi që Saliu po i bën linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë”, ka nënvizuar Beqja.

“Ne do të rishikojmë të gjitha kontratat konçesionare dhe do anulojmë ato që janë lidhur në dëm të shqiptarëve dhe në favor të interesave të Saliut dhe oborrit të tij”, ka shtuar ai.

Top Channel