Berisha: Tokë falas për shkolla e spitale

22/08/2012 00:00

Kur mbeten edhe pak javë nga nisja e sezonit të ri shkollor, Kryeministri Berisha një pjesë të gjatë të fjalës së tij në mbledhjen e
qeverisë ia kushtoi arsimit.

Shefi i qeverisë shqiptare kërkoi kontroll rigoroz mbi arsimin publik dhe privat, krahas nxitjes së investimeve në këtë sektor, duke propozuar aplikimin edhe në Shqipëri të një ligji amerikan për arsimin.

“Duke bërë kontrolle rigoroze, duke konsoliduar mekanizmat e kontrollit ne nuk mund të ndalemi dhe është e domosdoshme të aplikojmë ligjin tokë për shkollën, prandaj i nderuar z. ministër bashmë me ministritë respektive, ky ligj ekziston në SHBA e vende të tjera dhe duhet të vendoset në Shqipëri. Ne do të japim troje atyre që do të ndërtojnë shkolla dhe spitale. Po, ne do t’i nxisim këto. Dua t’u bëj thirrje këtyre institucioneve të konsiderojnë në mënyrën më serioze shndërrimin e tyre në non-profit institucionet arsimore në non-profit”, tha Berisha.

Kryeministri premtoi se Qeveria do të stimulojë sistemin e arsimit dhe atë të shëndetësisë, për të cilin tha se tashmë situata në shëndetësi është krejt tjetër falë investimeve në sektorin privat dhe atë shëndetësor.

“Deri para 4-5 vitesh vetëm në një spital të Stambollit, fatura e shpenzimit e shqiptarëve arrinte 35 milionë dollarë në vit, në një spital të mrekullueshëm, ku shumica shkonte për analiza. Tani të gjitha këto analiza bëhen këtu nga sektori privat dhe ai publik, pra ka sjellë një risi të madhe”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka përgjysmuar listën e produkteve të mbetjeve që do të importohen nga jashtë, për qëllime riciklimi, pas konsultimeve me shoqërinë civile.

Top Channel