Greqi, pranga “terroristëve” shqiptarë

21/08/2012 13:20

Dy shtetas shqiptarë, 18 dhe 22 vjeç, u arrestuan nga policia greke në Florina. Në një komunikatë të policisë së qytetit verior sqarohet se ndalimi u bë në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, në kohën kur personat në fjalë po tentonin të largoheshin në drejtim të Shqipërisë.

Policia greke thotë se gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës, dy të rinjtë kishin terrorizuar me breshëri automatiku banorët e fshatit Klidhi, në prefekturën Verias.

Sipas të njëjtave burime, shqiptarët po qarkullonin me motorçikletë nëpër rrugët e fshatit, e në vazhdim filluan të qëllonin me breshëri kallashnikovi. Banorët e fshatit, të trembur, njoftuan forcat e rendit, që nisën një operacion për gjetjen e të dyshuarve.

Plot tre orë më vonë, dy shqiptarët u kapën në afërsi të kufirit, në tentativë për të kaluar në territorin shqiptar. Pas kontrollit, atyre iu gjet një armë e tipit kallashnikov dhe 56 fishekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një numër i madh gëzhojash nëpër rrugët e fshatit Klidhi.

Hetimet paraprake treguan se 22-vjeçari ishte në kërkim nga policia greke, pasi ishte dënuar më parë nga një gjykatë për trafik klandestinësh.

Top Channel