Grabitjet, ndëshkim argjendarive

20/08/2012 00:00

Tre të rinj që grabisnin varëse floriri dhe çanta në kryeqytet u arrestuan, ndërsa po ushtrohen kontrolle në të gjitha argjendaritë të cilat ata kanë shitur sende të vjedhura.

Gjatë një deklarate për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, paralajmëroi të gjithë tregtarët e floririt që blejnë artikuj floriri të vjedhura se do të përballen me ligjin.

Aksioni i cili do të jetë në bashkëpunim edhe Drejtorinë e Tatimeve synon ndaljen e shitjes në tregun e paligjshëm të sendeve të vjedhura. Çdo tregtar që nuk do të ketë dokumentacion përkatës për floririn që shet do të procedohet penalisht.

“Janë ndërmarrë një sërë masash me qëllim parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve të rënda të vjedhjeve me dhunë, goditjen e aktivitetit  të paligjshëm në fushën e tregtimit, transportimit dhe ruajtjes e depozitimit të artikujve të floririt, si dhe sekuestrimin e mallrave kontrabandë e ushtrimin e ndjekjes penale ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të tregtimit të floririt. Në këtë kontekst janë kryer një sërë kontrollesh në njësitë e tregtimit të artikujve të floririt. Këto kontrolle do të vijojnë me intensitet, duke sekuestruar të gjithë sasinë e artikujve të floririt që nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe proceduar të gjithë personat që do të rezultojnë me shkelje”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
 
Të paktën 89 persona janë arrestuar në fundjavë në Shqipëri, ndërkohë që më shumë se 15 persona janë të akuzuar për armëmbajtje pa leje. Në pranga kanë rënë edhe dy shtetas të huaj.

Një rumun u arrestua në Shkodër i dyshuar për trafik droge, ndërsa një shtetas maqedonase u arrestua në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Lionit në Francë për organizim bandash të armatosura. 

Top Channel