Spahiu: Berisha, zvarranik i Beogradit

18/08/2012 00:00

Gjatë një takimi me pushues nga Kosova në Shëngjin, kryetari i Alencës Kuqezi, Kreshnik Spahiu e konsideroi kryeministrin Berisha si krokodilin e politikës që është vënë në shërbim të grekëve dhe serbëve.

“Ne kemi dy kryeministra anti-shqiptarë. I pari është Ivica Daçiç, ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviç dhe tjetri Sali Berisha. Ata kanë një qëllim të përbashkët, ta lënë Shqipërinë jashtë”, deklaroi Spahiu.

Sipas Spahiut, Berisha është përgjegjësi i vetëm i dështimit të Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

“Serbia është integruar në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria jo. Sali Berisha është vetëm një krokodil i politikës, një zvarranik i Beogradit”, theksoi Spahiu.

Më herët gjatë javës, kreu i Aleancës Kuqezi e akuzoi Berishën se ka lënë në harresë kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, duke vlerësuar kryeministrin si personin më të paaftë në Shqipëri.

“Me aftësi të kufizuara është kryeministri ynë i cili e ka shikueshmërinë shumë të kufizuar për të ardhmen e Shqipërisë. Të verbër janë ata të cilët nuk shikojnë se si rrënohet çdo ditë Shqipëria”, deklaroi Spahiu.

Ndërsa një ditë para këtij evenimenti, Aleanca Kuqezi reagoi pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, për zbatimin e marrëveshjes detare me Greqinë.

Përmes një deklarate për shtyp, Aleanca Kuqezi deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave flet qartë dhe i bëri thirrje qeverive të dy vendeve që, “të mos guxojnë të prekin kufijtë e Shqipërisë”. 

Top Channel