Kriza, biznesi në vështirësi

18/08/2012 00:00

Gjendja financiare e biznesit po vështirësohet teksa të dhënat zyrtare
tregojnë se numri i ndërmarrjeve që nuk arrijnë të shlyejnë dot kreditë
në banka po rritet me shpejtësi.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, kredia e keqe për biznesin u rrit me 63 për qind në terma vjetorë, një ritëm dy herë më të lartë se sa borxhi i keq i individëve. Sipas shifrave, në fund të vitit të kaluar, në çdo 100 lekë kredi që bankat i kanë dhënë biznesit, 20.8 lekë nuk janë kthyer më mbrapsht.

E shprehur në vlerë kjo do të thotë se vetëm kreditë e pashlyera të biznesit kanë arritur tashmë mbi 800 milionë dollarë ose gati 7 për qind të Prodhimit Kombëtar. Por cilat janë degët më në vështirësi? Përtej bumit të trumpetuar turistik, shifrat zyrtare tregojnë se turizmi është një nga sektorët më vështirësitë më të mëdha financiare.

Sipas Bankës së Shqipërisë,në degën e hoteleve dhe restorantet, kredia e keqe u rrit me rreth 2.3 herë vetëm brenda një viti, që do të thotë se aktualisht në çdo 100 lekë që kanë marrë kredi në banka, bizneset e hoteleve dhe restoranteve, nuk kanë kthyer mbrapsht në banka sipas kontratave 45.3 lekë.

Sektori i dytë më problematik, është ai i pasurive të patundshme dhe ndërtimit, i cili prej disa vitesh qëndron i parlaizuar për shkak të rënies së shitjeve, por edhe tkurrjes së fortë të investimeve publike në infrastrukturë. Sipas të dhënave zyrtare, në ndërtim kredia e keqe po cek nivelin 30 për qind gati 1.5 herë më shumë se mesatarja e ekonomisë.

Biznesi fton bankat të rishikojnë interesat

Sipërmarrësit thonë se rritja e fortë e kredive të këqija të biznesit, është i lidhur me rënien e shitjeve dhe mungesën e likuiditetit në treg.

“Mjaft industri prodhuese vendore, në kërkim tregjeve me cdo kusht, si pasojë e mungesës së likuiditetit masiv  në treg realizojnë edhe shitje të cilat quhen shitje të pamaturuara, pra shitje të cilat praktikisht dërgohet malli dhe ndihet fenomeni i mospagesës”, tha Gjergj Buxhuku, përfaqësues i Konfindustrisë.
 
Pamundësia e biznesit për të shlyer huatë që ka marrë në banka është thelluar më shumë gjatë këtij viti. Në gjashtë muajt e parë kredia e pashlyer u rrit me 2.43 pikë përqindje dhe pjesa më e madhe e saj ka ardhur sërish nga biznesi. Në këto kushte Luan Bregasi thotë se është e domosdoshme që bankat të zbatojnë një politikë të re me biznesin, atë të diferencimit të ndërmarrjeve që vuajnë nga kriza, me ato që janë keqmenaxhuar.

“Duke i ndarë në këtë mënyrë, unë mendoj që ndërmarrjet që janë në vështirësi për shkak të krizës ekonomike, duhet të rihyjnë në bisedime me drejtuesit e këtyre bizneseve, e këtyre kompanive për të parë mundësinë e riskedulimit të kredive, për të parë mundësinë e shtyrjes së afatit dhe shlyerjes së kredive, për të parë mundësinë e uljes së interesave, normave të interesit të këtyre ndërmarrjeve, nga ndërmarrjet që vuajnë për shkak të menaxhimit të keq. Ato që vuajnë për shkak të menaxhimit të keq janë një grup tjetër ndërmarrjesh, që duhet të trajtohen në një mënyrë tjetër, domethënë edhe mund të ekzekutohen sipas rregullave që kanë në kontratë”, tha Bregasi.

Rritja e kredive të këqija tashmë po penalizon edhe ekonominë reale, për shkak se bankat nuk po japin me hua të reja. Të dhënat zyrtare tregojnë se  në fund të qershorit rritja vjetore e kredisë ishte vetëm 8.2 për qind ndër më të ulëtat historike, dhe madje në gjashtë muajt e parë të vitit shifra ka ardhur duke u përkeqësuar.

 

Top Channel