Elbasan, 60 ditë burg vrasësve

18/08/2012 00:00

Nën masa të larta sigurie u zhvillua në Elbasan seanca gjyqësore për dy të ndaluarit për vrasjen e Gentian Beqirit dhe të babait të tij, si dhe për dy policët që kishin nën mbikëqyrje banesën e viktimës në momentin e krimit.

Fillimisht janë gjykuar dy policët Sami Dertila dhe Rashat Budani, për të cilët gjykata vendosi masën e arrestit “burg pa afat”.

Ndërsa për dy autorët e dyshuar të vrasjes, Florenc Çapja dhe Ajet Jaçe u vendos masa e arrestit 60 ditë burg, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar burg pa afat.

Sipas prokurorisë, Gentian Beqiri, i paralizuar dhe në arrest shtëpie, u ekzekutua në banesën e tij në sytë e të atit, ndërsa shtëpia ruhej nga dy policët.

Policia tha se dy autorët ishin prezantuar si shokë të viktimës dhe sapo hynë brenda qëlluan me breshëri 35-vjeçarin, ndërsa dhunuan për vdekje babain e tij, Nezir Beqiraj, 78 vjeç.

Ndërkohë, familjarë të dy të dyshuarve kryesorë për vrasjen kanë sjellë dëshmi dhe prova se dy të rinjtë, veç e veç, nuk kanë qenë në vendin dhe kohën e kryerjes së krimit, por njëri prej tyre ishte në Tiranë, ku punonte në një servis motorësh dhe tjetri në Maqedoni.

Krimi në Elbasan

Familja Capja i ka dërguar një letër të hapur presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Sali Berisha, ambasadorit amerikan Alexander Arvizu, kryeprokurores Ina Rama dhe medias ku rrëzon faktet e policisë lidhur me arrestimin e djalit të tyre Florent Capja.

Florent Capja dyshohet si autori i vrasjes së 35-vjeçarit Gentian Beqiraj kur ky i fundit gjendej në arrest shtëpie.

Familja Capja pretendon se “Florenti, 48 orë përpara vrasjes, ka qenë në Maqedoni”.

“Kemi pamjet filmike të hotelit ku
ka qëndruar Florenti ditën e krimit”, lexohet në letrën e hapur të
familjarëve të të dyshuarit për vrasje.

35-vjeçari u ekzekutua në banesën e tij,
ku ndodhej në arrest shtëpie dhe ku ruhej nga dy policë. Ai u ekzekutua
me armë me silenciator në sy të babait të tij, i cili nga shoku i
skenës që pa pësoi infarkt dhe humbi jetën.

Pista e parë e
hetimit është adresuar tek një krim i kryer disa vjet më parë, që çoi në
vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje për të cilën ishte vënë nën
akuzë edhe 35-vjeçari Beqiraj, si një prej autorëve të saj.

Për shkak se kishte marrë një plumb në shpatull, atij i ishte caktuar
si masë sigurie arresti shtëpiak nën ruajtjen e policisë.

Mëngjesin e së mërkurës, disa persona iu drejtuan apartamentit të
Beqirit, në lagjen “Sporti i Vjetër”, dhe policëve që qëndronin tek dera
iu prezantuan si shokë të Beqirit.

Derën e shtëpisë e ka
hapur pikërisht i ati i tij, ndërsa ata sapo u futën brenda qëlluan për
vdekje 35-vjeçarin dhe u larguan.

Që nga koha e implikimit
dhe e vënies nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e Çapjes, Gentian
Beqiraj kishte ndryshuar edhe identitet dhe njihej si Ardian Metaj.
Policia e Elbasanit arrestoi së pari dy policët që përgjigjeshin për
ruajtjen e tij.

Pak pas vrasjes, autombulancat u drejtuan
sërish në shtëpinë e Beqirit, pasi familjarët kërkuan ndihmë për të
atin, Nezir Beqiri, i cili kishte pësuar infarkt si pasojë e tronditjes
nga skena e krimit që kishte pare. Ai ndërroi jetë në repartin e
urgjencës, pak pasi kishte mbërritur atje.

Top Channel