PS: Jo negociata në errësirë

17/08/2012 00:00

Rifillimi i paralajmëruar së negociatave mes qeverisë shqiptare dhe asaj
greke, për çështjen e kufirit detar ka prodhuar reagimin e opozitës
sipas të cilës qeveria shqiptare është duke nxituar në realizimin e një
marrëveshje të re, duke qëndruar larg transparencës.

Saimir Tahiri nëkryetari grupit parlamentar socialist u shpreh se kryeministri Sali Berisha vazhdon nën një errësirë të plotë pa kurrëfarë transparence, të hedhë hapa drejt një marrëveshje për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Deputeti Tahiri kërkoi mbikëqyrjen nga presidenti Bujar Nishani, hap pas hapi të negociatave të reja.

“Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gerveni e shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë”, tha Tahiri.

Socialistët nuk janë kundra rinisjes së negociatave por ngulmojnë në pasjen e një transparence maksimale për këtë çështje.

“Kërkojmë transparencë në çdo hap të bisedimeve dhe negociatave për marrëveshjen e re. Kërkojmë zbardhjen e bisedimeve të deritanishme në rast se ka, publikimin e kërkesave të deritanishme në rast se ka, si dhe transparencë të plotë në çdo hap të diskutimit dhe negocimit, deri në finalizimin e marrëveshjes së ardhshme, kurdo qoftë ajo.Kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe përfshirjen e ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile, specialistëve të vendit e të huaj, përkrah grupit negociator të qeverisë, sepse vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund t’i blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij”, tha Tahiri.

Deputeti Tahiri i ka kujtuar kryeministrit Berisha se opozita në prag të 100-vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë nuk do të lejojë një tjetër marrveshje si ajo e para për të cilën socialistët thonë se u hartua nën tavolinën e Kryeministrit, duke cënuar kështu sovranitetin e vendit.

PD: PS shpif për negociatat sekrete

Partia Demokratike ka reaguar pasditen e së premtes ndaj deklaratave të PS, që akuzonin qeverinë për negociata sekrete me fqinjët për sovranitetin e vendit.

“Pasi bllokoi më 6 gusht heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të kandidatit, Edi Rama është në një tmerr dhe në panik të madh për vendimin e mazhorancës për referendumin për heqjen e imunitetit. Njësoj si i mbyturi që kërkon shpëtim, çdo ditë ai trillon zhurma për të bindur qytetarët që të mos votojnë për heqjen e imunitetit”, ka deklaruar zëdhënësja Silvi Bardhi.

Në një deklaratë për shtyp, Bardhi ka deklaruar se akuza të tilla janë trillime të kreut të PS, Edi Rama për interesa personale të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe jo për interesa kombëtare.

“Një ditë ai kërcënon me kundër-referendume, ndërsa një ditë tjetër trillon për marrëveshje sekrete bashkë me çakallin e tij faqezi. Rama dhe çakalli i tij nuk mund të kenë interesa kombëtare, por vetëm interesa personale të shpërfytyruara. Kushtetuta nuk lejon referendume për çështje jo kombëtare”, ka nënvizuar Bardhi.

Duke ritheksuar se, Rama dhe ortaku i tij “faqezi” shpifin për negociata sekrete, zëdhënësja ka shtuar se: “Asnjë trillim nuk do të pengojë thirrjen e referendumit për heqjen e imunitetit dhe hapjen e rrugës së statusit të kandidatit për në BE”. 

Top Channel