Presidenti i Republikës Bujar Nishani zhvilloi mesditën e të premtes,
takimin e parë, pas marrjes së detyrës,  me ambasadorin e SHBA-së në
Tiranë Aleksandër Arvizu.

Siç njofton Zyra e Shtypit e Presicencës, Presidenti i Republikës e garantoi ambasadorin Arvizu për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve si dhe për kontributin e Tij në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Presidenti Nishani në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Arvizu thuhet në vijim të njoftimit, vuri në dukje se ndër prioritetet e presidencës së tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve tek sistemi i drejtësisë.

Kreu i Shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë.Ambasadori Arvizu shprehu bindjen se Presidenti Nishani ka personalitetin dhe integritetin e duhur për të garantuar bashkëpunimin harmonik ndërinstitucional bazuar në pavarësinë dhe respektin e ndërsjelltë ndërmjet institucioneve.

Gjatë takimit nuk duhet të ketë munguar edhe vënia e theksit në pavarësinë e institucioneve gjë për të cilën në telegramin e urimit dërguar Presidentit Nishani nga Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton, nënvizohej  rëndësia e rolit të presidentit të ri në ruajtjen e pavarësisë së institucioneve, duke nënkuptuar sistemin e drejtësisë, gjyqësorin dhe prokurorinë, por edhe pavarësinë e shërbimit sekret.

Ky takim vjen vetëm disa ditë pasi presidenti Nishani dekretoi emërimin e kreut të ri të një prej institucioneve të pavarura, Shërbimit Informativ Kombëtar Visho Ajazi, emërim që u prit me rezerva nga SHBA. Nuk dihet nëse kjo çështje është prekur nga bashkëbiseduesit në këtë takim.

Ditën kur Bahri Shaqiri do të shkarkohej nga detyra, prej ambasadës amerikane u pa qartë një reagim që tregonte mospëlqimin për kohën e marrjes së tij dhe vinte pikëpyetje mbi vendimin. Një burim zyrtar i nivelit të lartë në Ambasadën Amerikane tregoi për Top Channel se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vënë në dijeni më parë dhe nuk janë informuar zyrtarisht për shkarkimin e zotit Shaqiri”.

Burimi në fjalë u shpreh gjithashtu se: “Shtetet e Bashkuara janë të befasuara nga ky vendim kaq i shpejtë dhe i papritur, duke patur paqartësi për kohën dhe arsyet që kanë çuar në shkarkimin e Bahri Shaqirit”. 

Ndërkohë përmes një njoftimi të shkurtër në faqen zyrtare te Kryeministrise mësohet se shefi i qeverisë, Sali Berisha priti të premten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, zotin Alexander Arvizu, i cili i prezantoi kryeministrit, zëvendësambasadorin Henry V. Jardine, me rastin e fillimit të kësaj detyre.


Në takim, thuhet në njoftim, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, forcimin dhe intensifikimin e tyre në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë.
 
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare që këto marrëdhënie të çohen përpara dhe të njohin zhvillime të mëtejshme pozitive për të dyja vendet.

Top Channel