“Shkulni ndërtimet nga rëra”

16/08/2012 00:00

Turizmi ka qenë çështja kryesore e trajtuar prej kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Sezoni turistik i deritanishëm ishte kryefjala e kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Pasi ka evidentuar arritjet në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë, zoti Berisha u ndal në plagën e vjetër të hapur prej vitesh, në të gjithë vijën e bregdetit.

Ndërtimet ne zonat e plazheve, të cilat kreu i qeverisë i përshkroi si një babëzi ndaj të cilave premtoi se do të veprojë forca e ligjit.

“Të babëzitur që shkoni e ndërtoni në rërë, tregoni se morali juaj është inekzistent. E gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaj, dëshmi e një babëzie të shpërfytyruar. I prishni vetë sepse do u faturohet edhe prishja e tyre. Një dekret i veçantë duhet të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e  Drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën e ligjit, ndaj këtyre pak njerëzve që duan t’jua shpërdorojnë, shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti”, tha Berisha.

Duke falenderuar të gjithë ata të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar kryeministri Berisha renditi disa shifra, që sipas tij demostrojnë, se vendi ynë është duke kaluar një sezon të frytshëm turistik.

“Sezoni turistik i deritanishëm, të jetë sezoni më i paprecedentë në historinë e vendit. Me këtë vendim ata bëjnë që Shqipëria të marrë turistë të huaj rreth 277 mijë më shumë, gjatë 7 muajve të parë të vitit, se sa një vit më parë. Vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune. Këshilltari i njerit prej ministrave fjeti në makinë në Sarandë, se nuk gjeti dhoma. Kurse një këshilltar i imi e konsideronte veten fatlum, se kishte arritur të gjejë një dhomë të vogël në Orikum. Një nga shtyllat më kryesore që mbrojti Shqipërinë nga kriza, që bëri që ejkonomia shqiptare t’i rezistojë presionit të tmerrshëm të krizës ekonomike, është edhe turizmi”, tha Berisha.

Pavarësisht këtij pozitiviteti të përshkruar nga Kryeministri, ai kërkoi nga autoritetet lokale më shumë përpjekje drejt përmirësimit akoma më shumë të standardeve të deritanishme të turizmit.

PS: Ndërtimet, dështim i qeverisë

Opozita, akuzoi kryeministrin Berisha, se arritjet per te cilat ai foli ne mbledhjen e qeverise jane ne fakt deshtimet e tij.

‘Ndersa kryeministri flet per turizem malor, pyjet jane ne flake – tha Ilir Beqja, sekretar për Programin Politik në PS – sepse zjarrfikesit nuk kane mjete. Ndersa ndertimet qe Berisha do te shkaterroje jane deshtimi i politikes se tij te rregullimit te territorit.”

“Sot, në mbledhjen e qeverisë, ne prisnim që Sali Berisha të merrej seriozisht me gjendjen alarmante të kriminalitetit dhe të pasigurisë në Shqipëri. Të merrej me të drejtën më themelore të njeriut, të drejtën e jetës.Jeta është e kërcënuar, prona është e kërcënuar, sipërmarrja është e kërcënuar, edhe vetë media është e kërcënuar. Vetëm pak ditë më parë tirazhet ditore të tri të përditshmeve u zhdukën nga tregu që në sabah.
Por jo, ai vazhdoi të injorojë hallet dhe problemet reale të shqiptarëve, duke përrallisur dhe gënjyer siç e ka zakon.Kryeministri akuoz (ujor) siç na tregoi sot se ka qejf te vetëquhet, foli per turzimin malor, por nuk tha asnjë fjalë për hektarët e pyjeve që po digjen në këtë verë të nxehtë. Shërbimi zjarrfikës ankohet se nuk ka mjete. Kështu ndodh nëse paratë shpenzohen për vila qeveritare në bregdet apo për mobilje të zyrave të ministrave.Kryeministri foli për rrugët e reja, por nuk pati kurajon t’u kërkojë falje shqiptarëve për vonesën vetëm për faj të tij të akseve Levan – Tepelenë, Levan – Damës. Foli për terminalin e ri të trageteve në Durrës, por nuk pati kurajo të kërkojë falje pse e vonoi dy vjet ndërtimin e terminalit”, tha Beqja.

Më tej Beqja shtoi se “kryeministri foli për ndërtimet pa leje në perlat turistike, por në fakt demostroi dështimin e qeverisë së tij në kontrollin e territorit, në zbatimin e ligjit të planifikimit të territorit. Kryeministri foli për bujqësinë, por sot fshatarët kërkonin nga kryeministri i vendit të tyre zgjidhje për thatësirën, për parcelat e misrit që po thahen, për fushat e jonxhës ku prodhimi po përgjysmohet.Kryeministri foli për disiplinën fiskale, por nuk tha asgjë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë, për defiçitin buxhetor 9 herë më të lartë se një vit më parë.   

Verën e ardhshme shqiptarët nuk do të dëgjojnë më bëmat olimpike të Sali akuozit. Partia Socialiste ka një plan për rivendosjen e demokracisë në vend, për rikthimin e sigurisë së jetës. Demokracia do të rivendoset dhe Shqipëria do të rilindë.”

Top Channel